Thaçi pret nga Merkel dhe Macron ti kërkojnë Vuçicit njohjen e Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke e kundërshtuar idenë e shkëmbimit të territoreve, tha se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën.

Thaçi i bëri këto vlerësime në konferencën për shtyp në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” para nisjes së tij për në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, ku do të mbahet Samiti i Berlinit i liderëve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën do të marrin pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Thaçi tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash dhe nëse në këtë samit kancelarja gjermane Merkel dhe presidenti francez Macron nuk japin qëndrim pro liberalizimit, kjo “do të ishte padrejtësi e madhe”.

Ai tha se Kosova është e gatshme ta vazhdojë dialogun me Serbinë, ndërsa shtoi se kërkon që nikoqirët e samitit të dënojnë gjenocidin serb në Kosovë.

“Pres të dënohet gjenocidi i Serbisë në Kosovë edhe nga organizatorët e takimit. Dihet se ne çdo ditë, po marrim pjesë në ceremonitë e ndryshme, ku shteti i Serbisë ka kryer gjenocid në Kosovë. Do të kemi përballë një Serbi gjenocidale. Në anën tjetër do të vazhdojmë të rikonfirmojmë zotimin tonë për reforma të ndryshme në çdo aspekt. Do të tregojmë zotimin se duam të lëvizim më shpejtë e të ecim drejt së ardhmes evropiane e në NATO”, tha presidenti i Kosovës.

Sa i përket idesë së shkëmbimit të territoreve, Thaçi u shpreh kundër saj, duke e quajtur këtë ide si Pazar, të cilin ai nuk do ta lejojë kurrë.

“S’pres aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës për bashkim me Kosovën. Por gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, ka shtuar Thaçi.

Ai në fund të konferencës tha se pret nga “kancelarja Merkel dhe presidenti Macron të kërkojnë nga presidenti Vuçiq njohjen e Kosovës në takim, por edhe njohjen e Kosovës nga pesë vendet e tjera të BE-së, të cilat kanë ende hezitime për ta njohur shtetin e Kosovës”.

Në Samitin e Berlinit, i cili do të mbahet sot në Berlin, përveç Thaçit, Kosovën e përfaqëson edhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ndërsa nga Serbia, përveç presidentit Aleksandër Vuçiq, pjesëmarrjen e ka konfirmuar edhe kryeministrja Ana Bërnabiq. (Anadolu Agency-AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne