“The Albanian Files”

 Auron Tare

Dy ditë më parë postova një fragment nga komedia shekspiriane “Ëndrra e një Nate Vere”, në variantin e shkruar posaçërisht për Qytetin Antik të Butrintit.

Sot po publikoj disa fragmente nga tragjedia “The Albanian Files”, po ashtu të lidhura me Butrintin.
Tashmë, zhvillimet në terren dhe botimi i The Albanian Files e bëjnë panoramën të kuptueshme për publikun e gjerë. Publiku shqiptar duhet të kuptojë se ajo që ka ndodhur në Butrint dhe ajo që po ndodh aktualisht nuk është një rast i izoluar. Përkundrazi, është pasqyra më e qartë e asaj që mund të ndodhë me të gjitha zonat e mbrojtura të Shqipërisë.

Parku Kombëtar i Butrintit, i krijuar në vitin 2000 nga administrata socialiste, u përfshi në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s. Më pas, administrata e dytë e Berishës e zgjeroi territorin e parkut duke përfshirë edhe Liqenin e Butrintit.
Në vitin 2021, një ndërtues që po zhvillonte një fshat turistik jashtë kufijve të Parkut Kombëtar porositi studion londineze të arkitekturës Taylor & Chapman për të hartuar një koncept të një qyteti turistik në hapësirën midis Ksamilit dhe Kanalit të Vivarit.

Studioja angleze e përgatiti dhe e prezantoi projektin, ndërsa, sipas deklarimit të vetë studios, porositësi kërkoi të mbetej anonim.
Ndërkohë, ndërtuesi nisi ndërhyrje në zonën e mbrojtur duke dëmtuar bregdetin shkëmbor, duke hapur rrugë brenda saj dhe duke rrethuar me gardh një sipërfaqe të konsiderueshme, pa asnjë miratim publik të njohur deri më sot.

Në vitet 2022–2023, Qeveria Shqiptare nxori nga zona e mbrojtur rreth 800 hektarë tokë midis Ksamilit dhe Kanalit të Vivarit, pikërisht hapësirën ku ndërtuesi kishte nisur ndërhyrjet, pa u paraqitur një justifikim bindës për këtë vendim.
Përballë denoncimeve publike, Ministria e Turizmit dhe Kulturës deklaroi se nuk kishte dijeni për këto ndërhyrje.

Në të njëjtën kohë, Qeveria Shqiptare ia kaloi administrimin e Qytetit Antik të Butrintit fondacionit AADF, duke hapur rrugën për zhvillime të reja turistike në zonë.
Më pas, Ligji nr. 21/2024 “Për Zonat e Mbrojtura” vulosi, sipas këtij interpretimi, procesin që i hap rrugë transformimit të mëtejshëm të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Konkluzioni

Rrjedha e ngjarjeve krijon bindjen se ndërhyrjet në terren janë kryer me konfirmimin e heshtur nga Qeveria se statusi i zonës së mbrojtur do të ndryshohej. Projekti i zhvillimit është porositur përpara ndryshimeve ligjore, ndërsa më pas ndryshimet në kufijtë e zonës së mbrojtur dhe në kuadrin ligjor përkojnë me nevojat e projektit të propozuar.

Kjo ndodh në Parkun Kombëtar të Butrintit, një pasuri me vlera botërore.

Po në zonat e tjera të mbrojtura të Shqipërisë?

Shikoni linkun e studios Londineze mbi të ardhmen e Parkut të Butrintit
https://www.chapmantaylor.com/projects/arameras-resort

 

 

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne