Bota

“The Washington Post”: Trump mbron gënjeshtrat e Muhammed bin Selman

Gazeta amerikane “The Washington Post” akuzon princin saudit të kurorës Muhamed bin Selman se gënjen paturpësisht për t’iu shmangur përgjegjësisë së pashmangshme për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, duke shtuar në këtë drejtim se ka ndihmën edhe të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Trump mbron gënjeshtrat e Muhamed bin Salman. Kongresi duhet të insistojë në të vërtetën”, është titulli i artikullit të botuar nga gazeta amerikane.

Teksti rithekson se të enjten prokurori saudit në Rijad lëshoi ​​një deklaratë që ishte në kundërshtim me faktet tashmë të njohura dhe e cila e amniston plotësisht princin Muhammed nga përgjegjësia.

“The Washington Post” më tej vazhdon dhe thotë se Trump ka pranuar këtë deklaratë mbuluese, edhe pse më parë premtoi se të vërtetën do ta kërkojë në detajin më të vogël.

“Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione kundër 17 personave të dyshuar për vrasjen e Khashoggit, por nga këto sanksione u përjashtuan Princi Muhamed bin Selman dhe zyrtarë të tjerë të lartë të zbulimit të Arabisë Saudite”, thuhet në tekst.

Gazeta më tej shton se Trump vazhdon të mbështesë Muhamed bin Selman, përkundër faktit se edhe Agjencia Amerikane e Inteligjencës (CIA) arriti në përfundimin se pikërisht ai kishte urdhëruar vrasjen e Khashoggit.

Burimi i njëjtë thotë se Trump refuzon të pranojë fajësinë e Muhammed bin Selman sepse kjo do të nënkuptonte se Shtëpia e Bardhë ka gabuar kur zgjodhi për partner strategjik princin saudit 33 vjeçar.

“The Washington Post” i bën thirrje Kongresit Amerikan që të marrë masa për të orientuar politikën e jashtme të SHBA-së në të vërtetën dhe jo në gënjeshtra.

Gazeta më tej njofton se tre senatorë republikanë dhe dy demokratë do t’i kërkojnë Kongresit që të sanksionojë me 30 ditë kreun e shtetit të përfshirë në vrasjen e Khashoggit. Është paralajmëruar edhe propozimi për pezullimin e shitjes së armëve amerikane për Arabinë Saudite.

Senatori i Tennessees, Bob Corker shkroi në Twitter se gjithçka tregon se urdhrin për vrasjen e Khashoggit e ka dhënë Muhammed bin Salman. Ai tha se administrata e Trump duhet të sigurojë që i gjithë zinxhiri i përgjegjësisë të zbulohet në mënyrë të besueshme para se Arabia Saudite të likuidojë kryerësit e vrasjes.

Po ashtu dhe senatori i Vermontit, Bernie Sanders, i bëri thirrje Washingtonit të rishikojë marrëdhëniet me Arabinë Saudite.

“CIA konfirmon se Bin Salman urdhëroi vrasjen e Khashoggit. SHBA-të duhet të shqyrtojnë marrëdhëniet me diktaturën kriminale dhe t’i jap fund mbështetjes së luftës në Jemen”, tha Sanders.

Nga ana tjetër, Trump mbrëmë njoftoi se Shtëpia e Bardhë deri të martën do të ketë një raport të plotë për vrasjen e gazetarit Khashoggi, për të cilin tha se ishte diçka e tmerrshme.

Kolumnisti i gazetës “The Post Washiington”, Khashoggi u zhduk më 2 tetor në ndërtesën e Konsullatës Saudite në Stamboll. Zyra e prokurorisë turke gjeti se Khashoggi u mbyt menjëherë pas hyrjes në konsullatë dhe se trupi i tij u copëtua dhe shkatërrua.

Autoritetet e Arabisë Saudite më vonë pranuan se Khashoggi është vrarë pa u larguar nga konsullata, siç pretendonte fillimisht.

Hetimi rreth rastit është ende në vazhdim me theks në kërkimin e mbetjeve mortore të Khashoggit./ AA

OPINIONE