Theu masën e arrestit dhe u ul në lokal, policia: Mjeku Edmond Gashi fshiu pamjet filmike

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E. G., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, dhe për shtetasin E. S., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Shtetasi E. G. ka thyer shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës, ndërsa shtetasi E. S. ka fshehur DVR-në me pamjet filmike nga lokali ku ka qëndruar shtetasi E. G. Materialet i kaluan Prokurorisë.

Një ditë më parë mjeku Edmond Gashi me t’u njohur me masën e sigurisë arrest shtëpie, ka dalë nga Gjykata dhe është larguar me vrap i shoqëruar nga një person tjetër.

Gjykata Penale e Tiranës sqaron se Edmond Gashi ka dalë nga hyrja e autorizuar për gjyqtarët duke përfituar nga hapja e derës në mënyrë rastësore nga një punonjës i gjykatës.

Gjykata e Tiranës thekson se Gashi është larguar i pashoqëruar nga efektivët e Policisë së Shtetit të cilët duhet të bënin dërgimin e tij në shtëpi.

“Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit“, thuhet në reagimin e Gjykatës.

Ndërkohë Gjykata sqaroi se ka miratuar kërkesën e Prokurorit, duke caktuar të njejtën masë sigurimi të kerkuar prej tij, në zbatim të nenit 244 të KPr. Penale (bazuar në të cilën gjykata nuk mund të caktoje masë sigurimi më të ashpër se ajo e kërkuar nga prokurori)./Bw

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne