Shqiperia

Thumanë – Kashar, kumar me paratë publike

Padia e kompanisë Gener 2 në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj për konçesionin e rrugës Thumanë Kashar, bart në vetvete dyshime se kemi të bëjmë me një koordinim me qeverinë.

Kjo të paktën për tri arsye:

Së pari, procedurat janë anulluar me një urdhër ministri, pra formalisht Këshilli i Ministrave që ka detyrimin për të miratuar kontratën, nuk është shprehur as pro, as kundër. Nga kjo pikëpamje, kundërshtimi në Gjykatë në kushtet kur kontrata është firmosur paraqitet si çështje që favorizon koompaninë.

Së dyti, padia është bërë më 13 shkurt ndërkohë që më 18 janar Agjencia e Prokurimit Publik ka nisur procedurën e hetimit administrative për kompaninë Dh Albania për lotin i të Unazës së Madhe. Lidhja mes këtyre dy momente qëndron në faktin se DH Albania është formalisht nën hetim për skandalin e Unazës dhe në media kanë dalë të dhëna konkrete që lidhin këtë kompani me Gener 2. APP-ja vendosi përjashtimin e DH Albanias nga e drejta për të marrë pjesë në konçesione, por organi i akuzës nuk ka folur ende. Është pra shumë e çuditshme siguria e Gener 2 në këtë kuadër, e cila nuk ka pritur përfundimin e hetimeve, por ka kaluar direkt në padi ndaj qeverisë.

Së treti është precedent i krijuar nga Gener 2 dhe Bashkia e Tiranës. Kompania fitoi të drejtën për ndërtimin e kullave në Parkun e Liqenit Artifical në kohën kur në krye ishte z. Lulzim Basha. Ndaj këtij vendimi bëri padi Inspektoriati Kombëtarë i Mbrojtjes së Territorit dhe në kohën kur Gjykata Administrative e Apelit po e shqyrtonte atë, në krye të Bashkisë ishte Erjon Veliaj. Siç ka raportuar ResPublica, në Apel, Bashkia e z. Veliaj, që kishte premtuar se kullat nuk do të ndërtoheshin, nuk bëri asnjë përpjekje për të ndryshuar qëndrim. Ajo u soll si palë e paditur duke lënë Gjykatën të vepronte. Dhe në fakt me vendim gjykate, z. Veliaj që u shpall fitues gjyqi si përfaqësues institucioni legjitmoi një leje të dhënë nga z. Basha, por duke larë duart me alibinë se ishte shprehur Gjykata.

A mos vallë jemi në të njëjtat kushte, pra kur kompania po kërkon të marrë me gjykatë atë që qeveria e z. Rama nuk mundi t’ia jepte administrativisht. Rrëzimi i një urdhëri të ministres ngjan punë e thjeshtë, por kjo është dyfish me vlerë, pasi kur të vijë puna në Këshillin e Ministrave, z. Rama nuk do të ketë mundësi të thotë se më detyron gjykata, pasi aty do shprehet vullneti i qeverisë. Megjithatë kjo do varet nga sjellja e ministrisë në procesin gjyqësor dhe precedenti i z. Veliaj lë shumë për të dyshuar.

,