TikTok dhe WeChat nga e diela do të ndalohen në shërbimet amerikane të aplikacioneve

Departmenti Amerikan i Tregtisë ka bërë të ditur se nga e diela në shërbimet amerikane të aplikacioneve do të ndalohet aplikacioni kinez për ndarjen e videove “TikTok”, së bashku me atë të mesazheve dhe pagesave “WeChat”.

Vendimi është pjesë e urdhërave ekzekutive të nënshkruara më 6 gusht nga presidenti amerikan, Donald Trump, kur ai tha se do të ndalojë aplikacionin TikTok nëse operacioni i këtij aplikacioni në SHBA nuk i shitet një kompanie amerikane.

“Nën urdhër të presidentit, kemi ndërmarrë veprime të rëndësishme për të luftuar mbledhjen keqdashëse të të dhënave personale të qytetarëve amerikanë nga Kina”, tha Wilbur Ross, sekretar i Departmentit të Tregtisë.

Pavarësisht se kërcënimet e dy aplikacioneve nuk janë të njëjta, tha Ross, ato janë të ngjashme, sepse “secili mbledh të dhëna të mëdha nga përdoruesit, përfshirë aktivitetin e rrjetit, të dhënat e vendndodhjes, si dhe historitë e shfletimit dhe kërkimit”.

Përderisa Trump ka argumentuar se TikTok paraqet një kërcënim të sigurisë kombëtare të SHBA-ve duke ndarë informacionin e përdoruesve amerikanë me qeverinë kineze, disa anëtarë të Kongresit të SHBA-ve po ashtu kërkuan që Departmenti i Drejtësisë të hap një hetim për aplikacionin TikTok mes shqetësimeve të privatësisë së të dhënave.

Megjithatë “ByteDance”, kompania amë e aplikacionit TikTok, mohoi akuzat e tilla, duke theksuar se të dhënat e përdoruesit janë ruajtur jashtë Kinës dhe se është e përkushtuar në mbrojtjen e privatësisë dhe sigurisë së përdoruesve të saj.

Të dielën e kaluar, kompania amerikane e programeve “Oracle” mundi rivalin e saj “Microsoft” në një luftë ofertash për të blerë operacionet e aplikacionit TikTok në SHBA, por kompania “ByteDance” tha se për çdo marrëveshje do të nevojitej një aprovim nga autoritetet si në Pekin ashtu edhe në Washington.

Ndalimi i aplikacionit TikTok mund të revokohet nëse Trump miraton marrëveshjen e kompanisë kineze me atë amerikane ose nëse shqetësimet e sigurisë kombëtare të paraqitura nga TikTok zgjidhen deri më 12 nëntor.

Sipas të dhënave të fundit nga Sensor Tower, TikTok u shkarkua 315 milionë herë në periudhën kohore janar-mars të këtij viti, më shumë se çdo aplikacion në një tremujor të vetëm në histori dhe 37 milionë herë vetën në muajin gusht kur krijoi të ardhura prej 9 milionë dollarë atë muaj.

Të dhënat e kompanisë analitike, tregojnë se WeChat u shkarkua 6 milionë herë në të gjithë botën, duke gjeneruar të ardhura prej 405 mijë dollarë në muajin gusht./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne