Tiranë: 33-vjeçari kapet me armë zjarri në makinë, përfundon në pranga

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 33-vjeçar nga Lezha, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri në automjet. Arrestimi i tij u bë gjatë operacionit policor të koduar “Flagranca 1”, i cili u zhvillua bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative për mbajtje të armëve pa leje.

I ndaluari është shtetasi Elden Dushku, banues në Lezhë. Ai u kap nga shërbimet e Policisë ndërsa drejtonte një automjet tip “Benz” në Tiranë. Gjatë kontrollit të makinës, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u morën në cilësinë e provës materiale.

Hetimet po vijojnë për të zbuluar qëllimin e mbajtjes së armës dhe nëse 33-vjeçari ka lidhje me ndonjë aktivitet kriminal. Ndaj tij janë ngritur akuzat për armëmbajtje pa leje, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore./gazetaimpakt