Tjetërsimi i pronës në Himarë, SPAK: Drejtori i Kadastrës së Vlorës dhe juristi nuk kryen asnjë verifikim ligjor në terren

Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka, përkatësisht drejtori i Kadastrës së Vlorës dhe juristi i Kadastrës, në akuzë për shpërdorim detyre, nuk kanë kryer asnjë verifikim ligjor dhe në terren në lidhje me privatizimin e sipërfaqes së tokës bujqësore 5512 m2 në favor të shtetasit Foto Mëhilli dhe më pas të trashëgimtarëve të tij. Nga hetimi paraprak ka rezultuar se privatizimi i kësaj tokë, buron nga dokumente tërësisht të falsifikuara.

Njoftimi i SPAK:

Ndërsa shtetasit B.A. dhe V.GJ, përkatësisht Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes) dhe Jurist pranë kësaj drejtorie (në kohën e ngjarjes), me veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë pranuar dokumentacionin ligjor, përpunuar këtë të fundit dhe lëshuar një vërtetim nga dokumentet hipotekorë, pa kryer asnjë verifikim ligjor apo në terren nga ato që ligji i detyron, duke kryer në këtë mënyrë regjistrimin fillestar të një pasurie të paluajtshme në pronësi shtet, të llojit tokë bujqësore, me sipërfaqe 5512 m2, në favor të shtetasit F.M. dhe më pas të trashëgimtarëve të tij. 

Kjo pasuri, siç ka rezultuar nga hetimi paraprak deri në këtë fazë, buron nga dokumente tërësisht të falsifikuara.

Në lidhje me këto veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, të kryera në bashkëpunim, këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne