Prokuroria e Tiranës ka çuar për gjykim tre ish-zyrtarë të komunës Bërxullë dhe një shtetas, lidhur me një rast të tjetërsimit të një prone prej 7500 m2. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Komunës së Bërxullës, Ymer Marku, kryeplakun e fshatit Bërxullë, Agim Loci dhe Kujtim Balliu, specialisti i Z.M.M.T. Gjithashtu është firmosur arresti dhe për përfituesin e pronës, Kujtim Allmeta i cili, më pas e ka shitur sipërfaqen e tokës tek një kompani.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria bën të ditur se ndaj 3 ish-zyrtarëve rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa për qytetarin ajo e falsifikimit të dokumenteve
Njoftimi nga Prokuroria
Lejuan përvetësimin e 7500m2 tokë me dokumente të falsifikuara, Prokuroria e Tiranës çon në gjyq tre ish-zyrtarët e Komunës Bërxullë për ‘Shpërdorim detyre’ dhe shtetasin K.A. për ‘Falsifikim të dokumenteve’.
Sipas prokurorisë, shtetasit Y.M., K.B., A.L. në bashkëpunim me njëri-tjetrin lejuan përfitimin e paligjshëm nëpërmjet falsifikimit të 7500 m2 tokë në Bërxullë nga shtetasi K.A., i cili më pas e shiti në vlerën 10.000.000 lekë.
Po kështu, nga hetimet rezultoi se të pandehurit, shtetasit Y.M., K.B. dhe A.L. konsumuan veprën penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ pasi kryen veprime në kundërshtim me ligjin. Këta punonjës me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre.
Shtetasi K.B. i cili nga muaji korrik 2011 deri në shtator 2015 ka mbajtur postin e Përgjegjësit të Zyrës së Mbrojtjes dhe Menazhimit të Tokës, në Komunën Bërxullë, duke ndërvepruar me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre dhe ish-kryetarin e Komunës dhe punonjësin tjetër, përpiloi shkresat për regjistrimin e pasurisë në emër të shtetasit K.A. pa kryer verifikimin e dokumentacionit.
Me kërkesë të prokurorisë, 7500m2 tokë e përfituar me dokumente të falsifikuara është sekuestruar./BW