Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë operacioneve për shuarjen e zjarrit masiv në zonën e Psathës, në Atikë, ku dy helikopterë zjarrfikës janë përplasur me njëri-tjetrin në ajër. Për pasojë, dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë konfirmoi përmes një njoftimi zyrtar se dy helikopterët e tipit Bell, të marrë me qira për operacionet në zonën Atikë–Beoti, u përplasën gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve. Mjetet ajrore ishin ngritur pak më parë nga aeroporti i Elefsinës.
Menjëherë pas aksidentit u aktivizua me urgjencë operacioni i kërkim-shpëtimit. Ekipet e emergjencës arritën të lokalizonin katër anëtarët e ekuipazheve, ku dy prej tyre u dërguan në spital me plagë, ndërsa dy të tjerët u nxorën pa shenja jete. Autoritetet greke kanë nisur hetimet e plota për zbardhjen e rrethanave të kësaj tragjedie./bw


















