Tritan Shehu kujton Hiroshimën, por hesht për Gazën – morali fals i një politikani që flet sipas interesit

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka vendosur sot të kujtojë 80-vjetorin e bombardimit të Hiroshimës me një postim patetik, ku përmend nazizmin, fashizmin dhe diktaturat si rreziqe për njerëzimin. Me tone “profetike”, ai paralajmëron për katastrofa globale dhe citon Papa Françeskun për “luftën e tretë të fragmentuar”. Por Shehu, që shfaqet si humanist dhe demokrat vetëm kur i leverdis, ka zgjedhur të heshtë për një nga masakrat më të rënda që po ndodh sot në botë në Gaza.

Që prej vitit 2023, Izraeli ka vrarë me qindra mijëra civilë palestinezë, ka bombarduar spitale, shkolla, kampe refugjatësh dhe ka lënë një popull të tërë pa ujë, pa ushqim, pa strehë. OKB-ja, Amnesty International dhe dhjetëra organizata të tjera e kanë quajtur këtë një katastrofë humanitare të përmasave të paprecedenta. Por Tritan Shehu – një figurë që pretendon se mbron të drejtat e njeriut – nuk ka thënë asnjë fjalë. As një status. As një dënim. Asnjë solidaritet me viktimat.

Përse? Sepse për Tritanin, duket se vlen më shumë retorika boshe ndaj diktaturave të së kaluarës sesa guximi për të dënuar dhunën reale që ndodh sot. Ai flet për Hiroshimën, sepse ajo është histori e mbyllur, e lehtë për t’u përmendur dhe politikisht e padëmshme. Por për Gazën nuk flet, sepse ajo është një plagë që kërkon qëndrim – dhe Shehu nuk ka as forcë, as vullnet për të folur kundër zionizmit dhe aleatëve të tij.

Ky nuk është humanizëm, është hipokrizi. Nuk është parim, është servilizëm. Dhe kur kjo vjen nga një deputet që ka mbajtur poste të larta në politikën shqiptare, është thjesht turp. Tritan Shehu duhet të kuptojë se nuk mjafton të përmendësh viktimat e 80 viteve më parë për t’u dukur i ndjeshëm. Sepse nëse sot mbyll sytë para viktimave të Gaza-s, atëherë çdo fjalë për Hiroshimën është një maskë e rreme, një lojë për pikë politike dhe asgjë më shumë.

Nëse nuk je gati të dënoshe gjenocidin modern, mos u lodh të na tregosh përralla për katastrofat e së kaluarës. Sepse ndërkohë që ti poston, fëmijët në Gaza po vdesin. Dhe heshtja jote, z. Shehu, është krim në vetvete.

Postimi i deputetit të PD-së, Tritan Shehu:

Hiroshima, 80 vite me pare, nuk duhet harruar!

Nuk duhet harruar ku e cuan Boten nazizmi, fashizmi…

Ku mund ta cojne perseri rregjimet, diktaturat e neo diktaturat…

Terrorizmi, indokrinimet vrasese…

Keq perdorimet e fese, te nacionalizmave.

Qe ne fakt po cojne perseri drejt nje katastrofe te re.

Qofte dhe tek “Lufta e trete e fragmentizuar”, sic e ka quajtur Papa Francesko.

Hiroshima nuk duhet harruar.

Si nje prelud i mundshem drejt epokalipsit ne epoken e zhvillimit./Gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne