Një sasi tritoli shpërtheu në orët e para të mëngjesit të sotëm në një banesë në Shkodër duke shkaktuar dëme materiale. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e banesës së biznesmenit Ardian Fierza, ndaj të cilit edhe më herët është vendosur një sasi tritoli, por në biznesin e tij.
Kështu në më pak se dy muaj, biznesmeni Ardian Fierza është sulmuar me lëndë plasëse. Këtë radhë sasia eksplozive u vendos në banesën e Fierzës në rrugën “Pashko Gjeçi” në Shkodër.
Policia vendore e Shkodrës bën të ditur se tritoli u vendos në derën e shtëpisë të Ardian Fierzës, në orët e para të mëngjesit, rreth orës 2:45. Shpërthimi i fortë ka shkaktuar vetëm dëme materiale ndërsa është dëgjuar në gjithë atë zonë. Deri më tani policia bën të ditur se nuk ka arritur ende që të identifikojë autorët e dyshuar dhe se grupi hetimor është duke punuar për sigurimin e provave me qëllim identifikimin e autorit të kësaj ngjarje.
Në momentin e shpërthimit familja Fierza ndodhej brenda banesës dhe menjëherë kanë dalë të shqetësuar pas kësaj vendosjes së tritolit. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë ndërsa përveç dëshmive janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të banesës së Fierzës dhe të tjera në atë zonë.
Herën e parë shpërthimi me tritol ndodhi më 29 gusht tek agjencia funerale që Fierza e ka në pronësi sëbashku me bashkëshorten e tij. Edhe atëherë kishte vetëm dëme materiale. Dy ditë pas asaj ngjarje policia vendore e Shkodrës arriti që të identifikojë autorin e dyshuar shtetasin Benard Pllumbaj 35 vjeç i cili u shpall në kërkim.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë 35-vjeçari afrohet i maskuar pranë agjencisë funerale dhe pasi ndez lëndën plasëse e hedh atë pranë derës dhe më pas largohet i qetë. i gjithë ky moment u filmua nga kamera e sigurisë.
Policia vendore deklaroi se 35-vjeçari dyshohet se e kishte vendosur tritolin tek agjencia funerale për shkak të një borxhi të pashlyer nga Ardian Fierza. Që prej asaj kohe 35-vjeçari vijon që të jetë ende në kërkim nga policia vendore e Shkodrës.
Dyshohet se sulmi i mëngjesit të sotëm me tritol në banesën e biznesmenit lidhet me sulmin e parë, ndërsa policia është duke hetuar për ta zbardhur të plotë edhe rastin e dytë.
Në deklaratën e tij shtetasi Ardian Fierza ka deklaruar për policinë se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe se nuk e di se cila është arsyeja e vendosjes së tritolit në derën e shtëpisë së tij. Policia nën drejtimin e prokurorisë është duke punuar për të zbardhur edhe këtë ngjarje të dytë ndaj biznesmenit Ardian Fierza./BW