Trump: Presidentja meksikane është pajtuar të ndalojë imigrimin në SHBA nëpërmjet Meksikës

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump tha se Meksika do të ndalojë fluksin e emigrantëve. Trump bëri të ditur se zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten meksikane Claudia Sheinbaum Pardo, pasi në fillim të kësaj jave presidenti i zgjedhur amerikan kërcënoi me vendosje të tarifave.

“Sapo pata një bisedë të mrekullueshme me Presidenten e re të Meksikës, Claudia Sheinbaum Pardo. Ajo ka rënë dakord të ndalojë imigrimin përmes Meksikës në Shtetet e Bashkuara, duke mbyllur në mënyrë efektive kufirin tonë jugor,” tha Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Ai e përshkroi bisedën me Sheinbaum si “produktive”.

“Ne folëm gjithashtu se çfarë mund të bëhet për të ndaluar hyrjen masive të drogës në SHBA dhe gjithashtu konsumin e kësaj droge në SHBA”, tha Trump.

Në një postim tjetër, presidenti i zgjedhur tha: “Meksika do t’i ndalojë njerëzit të shkojnë në kufirin tonë jugor, që hyn në fuqi menjëherë. Kjo do të thotë shumë drejt ndalimit të invazionit ilegal të SHBA-së. Faleminderit!!!”.

Të hënën, Trump u zotua të vendosë tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës përmes urdhrave ekzekutivë që ai planifikon të nënshkruajë në ditën e tij të parë në detyrë, si hakmarrje për atë që ai thotë se është përfshirja e tyre në rrjedhën vdekjeprurëse të fentanilit dhe imigrantëve në SHBA.

“Më 20 janar, si një nga shumë urdhrat e mi të parë ekzekutiv, do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të ngarkuar Meksikën dhe Kanadanë një tarifë prej 25 për qind për të gjitha produktet që vijnë në SHBA dhe kufijtë e saj qesharak të hapur”, tha ai në një postim në “Truth Social”.

Presidentja meksikane, Sheinbaum Pardo konfirmoi se pati një bisedë me Trumpin, duke thënë se i shpjegoi atij strategjinë gjithëpërfshirëse që Meksika ka ndjekur për të adresuar migracionin duke respektuar të drejtat e njeriut.

“Falë kësaj, migrantët dhe karvanët ndihmohen përpara se të arrijnë në kufi. Ne ritheksojmë se qëndrimi i Meksikës nuk është të mbyllë kufijtë, por të ndërtojë ura midis qeverive dhe midis popujve”, shkroi ajo në X./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress