Turistët arrijnë rekord për 5 mujorin, rriten ndjeshëm polakët dhe gjermanët; Por, më shumë shqiptarë ikin

Shqipëria është kthyer këtë vit në një vend mjaft të preferuar për turistët e huaj. Shkrimet e pafund për bukuritë natyrore të vendit, që po publikohen prej dy vitesh në mediat e huaja kanë nxitur kuriozë nga e gjithë bota, teksa agjencitë e huaja turistike po bashkëpunojnë me ato vendase duke sjellë grupe të mëdha, kryesisht në bregdet.

Sipas të dhënave të INSTAT, në pesë muajt e parë të vitit, në Shqipëri hynë gjithsej 1.4 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 7.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vendin e parë vijojnë ta mbajnë shtetasit nga Kosova, me 443 mijë, me një rritje prej 24% në raport me vitin e kaluar. Ndryshe nga një vit më parë, kur ata u larguan nga Shqipëria, këtë vit janë rikthyer sërish. Vetëm në maj, numri i tyre shënoi një rënie vjetore me 8.7%, por kjo shpjegohet kryesisht me muajin e Ramazanit.

Në vend të dytë janë maqedonasit, me 205 mijë hyrje për 5 mujorin, me rritje 6% me bazë vjetore. Pas tyre vijnë grekët me 172 mijë hyrje (rritje 7.1%), malazezët me 150 mijë (+4.6), italianët me 105.5 mijë hyrje (+7.6).

Rritjen më të lartë, ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël e kanë shënuar polakët dhe gjermanët.

Polakët “zbuluan” vitin e kaluar Shqipërinë, përmes agjencisë më të madhe polake ITAKA dhe prenotimet e tyre rezultojnë në rritje këtë vit. Sipas statistikave të INSTAT, për pesë muajt e parë të vitit kanë ardhur gati 13 mijë polakë, ose 34.4% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në rritje ishte dhe gjermanët, me 34.7 mijë hyrje, me rritje vjetore prej 25%.

Nga 1 qershori, hotelet, sidomos ato në zonën e Golemit në Durrës kanë raportuar se kanë qenë 100% të prenotuara, ndaj numri i turistëve pritet në rritje. Një fluks i lartë ka ardhur nga vendet nordike, por INSTAT nuk i raporton të ndara Norvegjinë, Suedinë etj.

 

Ikin dhe shqiptarët

Edhe shqiptarët preferojnë të udhëtojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë arritën në gati 2 milionë për periudhën janar-maj, me një rritje prej 5.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa hyrjet e shtetasve shqiptarë për të njëjtën periudhë ishin 1.85 milionë, me një rritje prej 9.1%.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne