Turqia mbështet me ndihma të reja arsimin në Shqipëri

Turqia po realizon në Shqipëri disa projekte duke i ofruar ndihmë vendit në fusha të ndryshme, si në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe mbrojtje të trashëgimisë kulturore.

Një nga projektet e fundit që ka filluar të zbatohet është edhe ai i rikonstruksionit dhe mobilimit të godinës së konviktit numër 6 në Qytetin Studenti në Tiranë, projekt që po realizohet nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë Ibrahim Kalin, kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) Serdar Çam dhe zv/kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (Dijanet), Selim Argun, kanë vazhduar vizitën e tyre në Shqipëri edhe gjatë ditës së premte, ndërsa të enjte realizuan një takim me kryeministrin e vendit Edi Rama dhe drejtues të institucioneve turke në Shqipëri.

Kreu i TIKA-s, Serdar Çam, së bashku me koordinatorin e TIKA-s në Tiranë, Nexhip Ëzaj Ëzytok (Necip Özay Özütok), vizituan të premten Qytetin Studenti në Tiranë, ndërsa inspektuan edhe punimet e rikonstruksionit të godinës së konviktit numër 6.

Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve AA, Çam tha se Shqipëria është një nga vendet me të cilën Turqia gjithmonë ka treguar afrimitet dhe ka bërë çmos që të realizojë sa më shumë projekte në kuadër të kërkesave që ka patur shteti shqiptar.

“Javën e kaluar presidentit të Turqisë i ka ardhur një kërkesë në lidhje me një asistencë për rikonstruksionin e konvikteve në Qytetin Studenti. Direkt pas direktivës që kemi marrë kemi filluar që të realizojmë rikonstruksionin e godinës së parë. Ky është një prej projekteve që realizojmë në Shqipëri në fushën e arsimit dhe dëshira jonë është të vazhdojmë të realizojmë sa më tepër në këtë fushë. Nga ana tjetër dëshiroj dhe uroj që studentët që rrinë tek ky konvikt të përfaqësojnë të ardhmen e këtij vendi. Shpresojmë që ky projekt të përfundojë sa më shpejt”,- tha kryetari i TIKA-s.

Ndërsa drejtoresha e përgjithshme e Qytetit Studenti, Anila Shehu për AA theksoi se projekti që po realizon TIKA po kthen dinjitetin e munguar në shumë vite në Qytetin Studenti.

“Janë 160 djem që do të përfitojnë nga ky investim. Shpreh falënderimet për ndihmën dhe bashkëpunimin për të gjitha projektet e mira që bën Qeveria e Turqisë për shtetin shqiptar. Ky do të jetë një konvikt me sistem bashkëkohor, sipas standardeve ndërkombëtare, ku të gjithë studentët që do të vazhdojnë të jetojnë këtu pas përfundimit të projektit do ta shikojnë gjithë investimin e bërë nga TIKA”,- theksoi Shehu./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne