“Turqia nuk kërkon zgjidhje ushtarake në Libi”

Turqia së bashku me Katarin dhe disa vende të tjera janë të pranishme në Libi në një përpjekje për ta mbështetur zgjidhjen politike në vend, tha zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin.

Duke folur për Al Jazeera, Kalın tha se Turqia është e shqetësuar që elemente ushtarake janë vendosur në qytetet libiane Sirte dhe Jufra për një vit dhe kjo përbën kërcënim për paqen dhe integritetin territorial të vendit.

Duke theksuar se Turqia hodhi poshtë planet zyrtare ose jozyrtare në lidhje me shpërbërjen e Libisë, Kalın tha se Ankaraja nuk kërkon zgjidhje ushtarake askund në Libi.

Ai shtoi se Turqia nuk dëshiron të vijë ballë për ballë me asnjë vend të huaj në Libi dhe nënvizoi se Egjipti është fqinj i Libisë i cili mund të përvetësojë një rol konstruktiv për të zgjidhur konfliktin.

Megjithatë, prania e mercenarëve nga Grupi Wagner i Rusisë dhe mercenarëve të tjerë që Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) i kanë sjellë nga vende si Sudani, Nigeri dhe Çadi, janë burim shqetësimi për Turqinë, tha zëdhënësi presidencial.

Ai më tej vuri në dukje se pastrimi i qyteteve Sirte dhe Jufra nga armët dhe mercenarët mund të jetë ide e mirë për të ndaluar përplasjet dhe kjo mund të jetë një dritare mundësish për një zgjidhje politike në vend, duke shtuar se ky proces duhet të zhvillohej në një mënyrë të drejtë dhe transparente.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin së fundmi zhvilluan një bisedë të gjatë telefonike në të cilën ata trajtuan zhvillimet në Libi dhe Siri, tha Kalın, duke theksuar se dy vendet mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në Libi, siç është rasti me Sirinë.

Ai tha se Rusia mbështeti komandantin puçist Khalifa Haftar pavarësisht se Moska i mohoi pretendimet e tilla, por theksoi se qeveria ruse kërkoi të veprojë si një ndërmjetës midis palëve në konflikt në Libi.

Në fund, Kalın deklaroi se ai beson se një zgjidhje politike mund të arrihet në Libi dhe se Turqia do të ishte e lumtur të shihte ndonjë vend, përfshirë Egjiptin, Katarin, Gjermaninë, Rusinë dhe Italinë, duke kontribuuar në dialogun politik në këtë drejtim.

Libia është përfshirë nga një krizë dhe përplasjet që kur operacionet e NATO-s çuan në përmbysjen e ish-liderit të vendit Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Qeveria e re u themelua katër vjet më vonë në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate deri më tani kanë dështuar për shkak të sulmeve ushtarake nga forcat e Haftarit.

Që nga prilli i vitit 2019, forcat e Haftarit kanë nisur sulme në Tripoli dhe pjesë të tjera të Libisë veriperëndimore kundër qeverisë legjitme të njohur nga OKB-ja, duke rezultuar në më shumë se 1.000 vdekje, përfshirë civilë. Haftar ka mbështetjen e EBA-së, Egjiptit dhe Rusisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne