Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka deklaruar se sulmi izraelit ndaj Flotiljes së Lirisë në ujërat ndërkombëtare është një “akt piraterie i kryer nga qeveria gjenocidale e Netanyahut”. Ministria turke theksoi se “ky sulm ndaj aktivistëve civilë, përfshirë qytetarëve turq dhe anëtarëve të parlamentit, përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”.
“Duke synuar me dhunë të gjitha përpjekjet që mbështesin vlerat humanitare dhe që përdorin mjete paqësore, Izraeli po përshkallëzon tensionet në rajon dhe po minon përpjekjet drejt një paqeje të qëndrueshme”, tha ministria turke.
Nga atje theksuan se janë ndërmarrë “të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar lirimin e qytetarëve tanë të ndaluar nga forcat izraelite (në bordin e Flotiljes së Lirisë) dhe kthimin e tyre në vendin tonë”.
Po ashtu theksohet se situata e aktivistëve të tjerë po monitorohet nga afër në koordinim me vendet përkatëse. “Turqia do të vazhdojë të mbështesë kauzën palestineze dhe të punojë për t’i dhënë fund gjenocidit në Gaza”, theksoi ministria.
Grupi i fundit i anijeve u nis pasi forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan më shumë se 40 anije javën e kaluar, të cilat ishin pjesë e Flotiljes Globale “Sumud” që ishte nisur drejt Gazës, si dhe ndaluan më shumë se 450 aktivistë në bord. Shumica e tyre janë deportuar. Izraeli si fuqi pushtuese ka sulmuar edhe më parë anijet që shkonin në Gaza, ka sekuestruar ngarkesën e tyre dhe ka deportuar aktivistët në bord.
Izraeli plotë 18 vite ka mbajtur nën bllokadë Rripin e Gazës, ku banojnë gati 2.4 milionë njerëz si dhe e shtrëngoi më tej rrethimin në muajin mars kur mbylli kalimet kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e çuar enklavën në uri. Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në Rripin e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme. Negociatat për t’i dhënë fund luftës, sipas një plani 20-pikësh të zbuluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, janë duke u zhvilluar në Egjipt./aa














