“Turqit e Prespës – studim historiko–demografik”

Doli nga shtypi libri i ri i autorit Salim Kadri Kerimi:

“Turqit e Prespës – studim historiko–demografik”

 

Para disa muajve, në Shkup të Maqedonisë, doli nga shtypi libri i ri i historianit – diplomatit në pension, studiuesit dhe publicistit Salim Kadri Kerimi, me titull: “Turqit e Prespës – studim historiko – demografik”. Recensentë të studimit në fjalë janë historiani prof. d-r Borçe Ilievski dhe gjeografi m-r Fejzulla Abdullai.

Tema qendrore e kësaj vepre shkencore–studimore është popullsia turke në krahinën e Prespës së Maqedonisë, në të kaluarën dhe në ditët e sotme. Sipas të dhënave zyrtare statistikore, turqit në Prespë janë komuniteti i dytë më i madh etnik, pas atij maqedonas. Përveç maqedonasve dhe turqve, në Resnjë dhe në Prespë prej shekujsh bashkëjetojnë edhe shqiptarët, egjiptianët, vllehët dhe pjesëtarë të bashkësive të tjera më të vogla etnike. Sipas të dhënave statistikore nga periudha osmane, prania e turqve në Prespë daton nga shekulli XVI, ndërsa sipas disa supozimeve dhe treguesve, popullsia në fjalë në Prespë mund të ketë qenë e pranishme që në shekullin XV.

Megjithatë, posaçërisht në shekujt XIX dhe XX, popullsia turke në këtë rajon të Maqedonisë shpesh herë është mohuar ose paraqitur gabimisht. Disa i kanë përshkruar si Muhamedanë ose Pomakë me prejardhje bullgare (Vasil Kënçov, Dimitar Gaxhanov, Georgi Trajçev, J. Ivanov), të tjerë si “vëllezër nga gjaku ynë (serb)” (Jovan Haxhi–Vasiljeviq), të tretë si “popullsi muhamedane/ krishterë të islamizuar” (Johan Georg fon Han, Viktor Bérard), të katërt si “shqiptarë të turqizuar” (Qerim Lita), ose si “popullsi maqedonase e islamizuar” (Włodzimierz Pianka). Megjithatë, gjendja faktike në terren ka qenë/ është krejtësisht ndryshe. Ekzistencën e popullsisë turke në qytetin e Resnjës dhe në fshatrat Kozjak, Belocërka e Sipërme, Carev Dvor, Dërmeni, Lavca dhe vendbanime të tjera, si në të kaluarën ashtu edhe sot, e kanë vërtetuar dhe e vërtetojnë vetë turqit, si dhe shumë të dhëna të tjera relevante që në këtë studim janë të prezantuara në mënyrë të detajuar.

Libri me titullin e sipërpërmendur në fakt është studim i parë shkencor – hulumtues mbi këtë temë dhe është i ndarë në tri kapituj të veçantë.

Në kapitullin e parë, kryesisht përfshihen informacione mbi veçoritë gjeografike dhe bukuritë natyrore të Prespës, mbi disa ngjarje historike dhe gjendje/ dukuri demografike karakteristike për këtë krahinë; informacione nga autorë të ndryshëm vendas dhe të huaj për Prespën dhe në mënyrë të veçantë për popullsinë turke të kësaj krahine; si dhe njohuritë dhe vërejtjet e autorit të këtij studimi, rreth vlerësimeve të autorëve të ndryshëm për popullsinë turke të Prespës.

Në kapitullin e dytë – që është edhe kapitulli qendror – paraqiten të dhëna për popullsinë turke në Republikën e Maqedonisë; statusi i turqve në të dy Jugosllavitë (Jugosllavia e vjetër dhe ajo e re); ku kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë turqit në Maqedoni; të dhëna statistikore për këtë popullsi; si dhe popullsia turke në qytetin e Resnjës dhe në fshatrat: Kozjak, Belocërka e Sipërme, Carev Dvor, Dërmeni dhe Lavca.

Në kapitullin e tretë, në mënyrë shumë të detajuarë trajtohen lëvizjet migratore të popullsisë së lartpërmendur të Prespës, me theks të veçantë rreth shpërnguljes së tyre në Republikën e Turqisë, gjatë viteve ’50 dhe ’60 të shekullit XX. Në këtë kapitull trajtohen gjithashtu edhe mërgimi dhe shpërngulja e popullsisë turke të Prespës në të gjitha periudhat kohore të së kaluarës (mërgimi gjatë periudhës osmane dhe pas-osmane; mërgimi “për punë të përkohshme” të kësaj popullsie duke filluar nga mesi i viteve ’60 të shekullit XX; të dhëna për popullsinë turke të Prespës në botë dhe organizimin e tyre; e kështu me radhë).

Si rezultat i migrimeve të përmendura, numri i popullsisë turke dhe i popullsisë tjetër në Prespë, nga viti në vit është zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme. Kështu p.sh. nga 3.662 banorë në vitin 1953, numri i turqve në Prespë në vitin 2002 është zvogëluar në vetëm 1.797 persona.

Në këtë kapitull, po ashtu, janë përfshirë dëshmitë e 15 mërgimtarëve turq nga Prespa, shumica e të cilëve edhe sot jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Danimarkë, Suedi dhe SHBA.

Teksti i librit është i pregaditur na gjuhën maqedonase dhe i shkruar në gjithsej 404 faqe. Ai përmban 727 fusnota dhe është i ilustruar me një numër të madh tabelash dhe të dhëna statistikore nga periudha dhe burime të ndryshme. Në fund të këtij punimi janë publikuar edhe disa fotografi të rralla, nga periudha të ndryshme kohore.

Autori Salim Kadri Kerimi, i cili i përket komunitetit në fjalë të Prespës, është i bindur se përmbajtja e këtij punimi do të zgjojë interes të veçantë posaçërisht te brezi i ri i turqve, të cilët kanë lindur, jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të Europës dhe botës në përgjithsi dhe të cilët për të kaluarën e paraardhësve të tyre dhe për vendlindjen e tyre ose nuk dinë azgjë, ose dinë shumë pak.

Për ta bërë këtë punim të qasshëm për lexuesit e lartpërmendur të supozuar, autori mendon se do të ishte mirë që ky tekst të botohet edhe në gjuhën turke dhe posaçërisht në atë angleze, pasi që gjenerata e dytë, e tretë dhe gjeneratat e ardhshme të “mërgimtarëve” të lindur jashtë Maqedonisë, nuk kanë patur mundësi për ta mësuar gjuhën maqedonase.

Me botimin e këtij punimi pritet që njohuri të caktuara – të reja – për popullsinë turke të Prespës t’i fitojnë edhe lexuesit e tjerë të mundshëm dhe publiku më i gjerë, si në vend ashtu edhe jashtë tij.

Autori është thellësisht i bindur se presparët, përfshirë edhe ata të përkatsisë etnike turke me prejardhje nga Prespa e Maqedonisë, pavarësisht se ku jetojnë, në mendjet dhe në shpirtin e tyre gjithmonë e mbajnë dhe e ruajnë dashurinë dhe nostalgjinë për vendlindjen e tyre ose për vendin e prejardhjes së paraardhësve të tyre, si dhe për bukuritë e mrekullueshme dhe të papërsëritshme të saja.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne