Ka ndërruar jetë në një spital në Tiranë, Zyhdi Shehu, që dyshohet se vrau një të moshuar në një azil në kryeqytet. Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se Shehu kishte katër ditë i shtruar në spital.
Botuesi Fatmir Toçi me anë të një postimi, ka bërë me dije se studiuesi e historiani kavajas, Zyhdi Shehu ndërroi jetë në një spital në Tiranë.
“NDAHET NGA JETA STUDIUESI KAVAJAS ZYHDI SHEHI
Ka ndrruar jetë sot në një spital të Tiranës studiuesi dhe historiani Zydi Shehi, pas një sëmundje të rëndë e të gjatë, i bërë i njohur kohët e fundit edhe për një ngjarje të rëndë në një azil të Tiranës, rrethanat dhe përfundimet e së cilës janë akoma të pazbardhura dhe të paqarta plotësisht…
Zydi Shehi ishte një figurë e mirënjohur në Kavajën e tij si familjar dhe qytetar i devotshëm, studiues i apasionuar pas historisë, veçanërisht për qytetin e tij, Kavajën dhe rrethinat e saj dhe autor i disa botimeve me vlerë dhe interes të veçantë në këtë fushë, duke sjelle fakte dhe interpretime të panjohura më parë. Për këto kontribute për qytetin e tij dhe shoqërinë e emancipuar kavajase ai ishte shpallur njëzëri nga Këshilli Bashkiak i qytetit “Qytetar Nderi i Kavajës”, titull i merituar për një personalitet të shquar e me kontribute konkrete si Zydi Shehi, i cili gjatë gjithë jetës së tij reflektoi mirësi, korrektesë e kulturë, shembullin e modelin e qytetarit bashkëkohor.