UNICEF: Prej 2 vitesh, fëmijët kanë paguar çmimin më të rëndë të krizës në Gaza

Fondi i OKB-së për Fëmijët, UNICEF sot dënoi çmimin e rëndë që paguajnë fëmijët e pafajshëm në Rripin e Gazës, duke i bërë thirrje Izraelit të shpallë armëpushim të menjëhershëm për t’i dhënë fund asaj që e quajti dhunë “të paparë” në enklavën e rrethuar.

“Për gati dy vjet tani, fëmijët kanë paguar çmimin më të rëndë në këtë krizë”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, Ricardo Pires, në konferencën për media të OKB-së në Gjenevë. Ai tha se “mesatarisht një fëmijë vritet ose gjymtohet çdo 17 minuta”, duke e quajtur shifrën “të papranueshme” dhe “tronditëse”. Në përvjetorin e dytë të luftës izraelite, Pires theksoi se fëmijët po përjetojnë trauma të rënda fizike dhe psikologjike, pasi kanë mbetur jetimë ose janë zhvendosur disa herë dhe janë të ekspozuar ndaj “tmerreve që asnjë fëmijë nuk duhet t’i shohë ose t’i përjetojë kurrë”.

Ai tha se UNICEF-i mirëpret përpjekjet për paqe nga SHBA-ja, por paralajmëroi se bombardimet dhe sulmet ajrore vazhdojnë si në veri të Rripit të Gazës ashtu edhe në jug të enklavës. Më 29 shtator, presidenti i SHBA-së, Donald Trump shpalosi një propozim me 20 pika që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, një armëpushim, çarmatimin e Hamasit dhe rindërtimin e Rripit të Gazës. Ndërsa Hamasi u pajtua në parim me planin e Trumpit.

Agjencia ngriti alarmin për mohimet e përsëritura të qasjes humanitare. Pires tha se inkubatorët dhe ventilatorët e nevojshëm urgjentisht për foshnjat e parakohshme janë bllokuar. “Po flasim për fëmijë që ndajnë maska ​​oksigjeni për të qëndruar gjallë”, tha ai duke shtuar se një në pesë foshnje në Gaza tani lind para kohe.

Pavarësisht kërkesave të përsëritura, UNICEF-i ende është duke pritur lejen për të ofruar pajisje mjekësore kritike nga veriu në jug të Rripit të Gazës.Pires tha se kequshqyerja po rritet, ku janë mbi 10 mijë fëmijë të diagnostikuar me kequshqyerje akute në dy muajt e fundit. Rreth 2.400 fëmijë në qytetin e Gazës aktualisht marrin trajtim për kequshqyerje të rëndë akute, tha Pires duke paralajmëruar se mund të jetë fatale nëse atyre u ndërpritet kujdesi.

“Përgjigjja joproporcionale që pasoi (tetor, 2023), e cila vazhdon edhe sot, duhet të marrë fund”, tha ai. Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në një ofensivë brutale në Rripin e Gazës mbi 67.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet brutale e kanë bërë enklavën pothuajse të pabanueshme dhe kanë çuar në zhvendosje masive, uri dhe përhapje të sëmundjeve./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne