“Ushtarët izraelitë të plagosur në Gaza nuk pranojnë të takohen me Netanyahun”

Ushtarët izraelitë të plagosur në ofensivën tokësore në Rripin e Gazës të mërkurën refuzuan vizitën nga kryeministri Benjamin Netanyahu në një spital në Kuds, raportoi “Channel 13”. Kjo nuk është hera e parë që ushtarët e plagosur në Gaza refuzojnë të takohen me liderin kontrovers. Një incident i ngjashëm ndodhi një javë më parë në një spital në qendër të Tel Avivit, sipas kanalit izraelit.

“Isha në spitalin (Hadassah) dhe një personel mjekësor më pyeti nëse dua të takoja Netanyahun. Sigurisht, unë refuzova”, tha ushtari Or Shneiberg në X. “Nga 18 ushtarë të plagosur, 15 kërkuan që ai të mos hynte në dhomën e tyre. Unë jam në Kuds, bastioni i Partisë Likud (të udhëhequr nga Netanyahu). Ndryshimi është i dukshëm. Epoka e Likud-it ka marrë fund”, shtoi ai.

Spitali, megjithatë, i mohoi raportet, pavarësisht rrëfimeve të ushtarëve. “Netanyahu kaloi mes të plagosurve, të cilët e pritën me shumë entuziazëm, duke i frymëzuar ata. Ai i siguroi se Izraeli është i përkushtuar për arritjen e fitores së plotë”, citoi kanali një deklaratë të spitalit.

Javën e kaluar, Netanyahu vizitoi Qendrën Mjekësore Sheba në lagjen Tel HaShomer pranë Tel Avivit, ku një numër ushtarësh të plagosur gjithashtu refuzuan të takoheshin me të. Sipas shifrave të publikuara nga ushtria izraelite, 167 ushtarë janë vrarë dhe 874 të tjerë janë plagosur në luftimet në territorin palestinez që nga 27 tetori. Në mesin e të plagosurve 329 ushtarë janë në gjendje të rëndë.

Qeveria e Netanyahut është nën kritika për gabimet e sigurisë që lejuan Hamasin të kalonte kufirin nga Rripi i Gazës më 7 tetor dhe të kryente një sulm të befasishëm. Incidenti në fillim të këtij muaji në të cilin 3 izraelitë që mbanin një flamur të bardhë të improvizuar u vranë nga forcat izraelite ka shkaktuar kritika të ashpra./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne