Maria Millosheviç, vajza e Sllobodan Millosheviçit në një intervistë dhënë për “Kurir” ka deklaruar se babai i saj, është helmuar në Hagë dhe nuk ka vdekur nga ataku kardiak, siç ëshë versioni zyrtar.
Sllobodan Millosheviç, i cili udhëhoqi për dy dekada Serbinë dhe njeriu përgjegjës për qindëra mijëra viktima në Ballkan ndërroi jetë më 11 mars 2006 kur po gjykohej për genocid e krime lufte nga Gjykata e Hagës.
Gazeta Shqiptare ka zbardhur sot pjesë të intervistës që vajza e ish-presidentit jugosllav, që ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare, dha për gazetën Kurir të Beogradit.
“Në natën ndërmjet 10 dhe 11 marsit 2006, të gjitha kamerat në Sheveningen ishin të fikura dhe ky ishte një precedent. Trupi i tij u mbajt qëllimisht nga autoritetet pa ju bërë autopsia. Ai kërkoi leje për t’u vizituar në Rusi, në një klinikë të specializuar, sepse ai e parandjente se do t’i ndodhte diçka. Unë besoj se ai po kurohej me një substancë që i dha atij një vdekje të ngadaltë. Ai nuk u besonte mjekëve në ‘Sheveningen’ ndaj donte të kurohej në Rusi”, i tha sot “Kurir”-it, Maria Millosheviç.//Gazeta Impakt