Shqiperia

Verifikime edhe për koncesionin e Thumanë- Kashar?

Pas skandalit me tenderin e Lotit 1 Të Unazës së Madhe, ku një shoqëri e themeluar me kapital 1 mijë lekë në muajin qershor dhe me dokumentacion të falsifikuar  u shpall fituese, burime anonime nga MIE flasin dhe për verifikime të tenderit të rrugës Thumanë-Kashar. Kjo procedurë ka muaj që ka mbaruar dhe është shpallur fituesi por akoma nuk është firmosur kontrata. Arsyet për momentin nuk bëhen publike.

Ky projekt është pjesë e paketës “1 miliardë për rindërtim”. Edhe për këtë aks kompania Gener 2, që fitoi tenderin  e nisi garën me një bonus 8.5 pikë në raport me ofertuesit e tjerë, përmes ofertës së pakërkuar. Kjo kompani ofroi 225.8 milionë euro, nga 245 milionë euro që ishte fondi limit i vendosur nga qeveria në nisje të procedurës së prokurimit.

Në Agjencinë e Prokurimit Publik mësohet se do verifikohet i gjithë dokumentacioni si dhe nëse ka patur partneritete me firma të natyrës si DH Albania. Ngelet i paqartë roli i Gener 2 në punimet te Unaza e Re ndërkohë që disa media elektronike kanë raportuar për përfshirje të Gener 2 në këtë procedurë, si dhe për disa lidhje midis administratorit të DH Albania dhe pronarit të Gener 2, biznesmenit Bashkim Ulaj. Nga ana e Gener 2 nuk ka patur asnjë reagim për mediat. Kujtojmë që biznesmeni Ulaj së fundmi ka investuar në një kanal televiziv, A2 në partnership lokal me CNN.

OPINIONE