Vota e diasporës, qeveria i jep KQZ 250 mln lekë për regjistrimin e zgjedhësve

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor ngarkuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të implementuar votën e diasporës në parlamentaret e vitit 2025.

Burime zyrtare nga ana e KQZ konfirmojnë për A2 CNN se aktualisht ky grup është duke hartuar aktet ligjore të cilat do t’i përcillen për miratim Komisionit Rregullator i cili duhet të parashikojë disa mekanizma.

I pari është ai për sistemin se si do të regjistrohen emigrantët që do të dëshirojnë të bëhen pjesë e zgjedhjeve parlamentare. Për këtë duket një dorë ia ka dhënë qeveria. Këshilli i Ministrave në aktin normativ për Buxhetin të depozituar tashmë edhe në Kuvend, parashikon një suport financiar prej 250 milionë lekësh në mënyrë që të nisin procedurat e prokurimit për blerjen e sistemeve teknologjike. 

“Propozimet sa i takon zërave të shpenzimeve buxhetore, ndër të tjera, konsistojnë në financimin shtesë, në masën 250 milionë lekë për vitin 2024, për projektin e regjistrimit të zgjedhësve në diasporë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me qëllim avancimin në vitin 2024 të procedurave të prokurimit përzgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 dhe garantimin e implementimit në kohë të sistemit”.

Krahas regjistrimit, Komisioni Rregullator duhet të miratojë edhe mekanizmat sa i takon mënyrës sesi do të votojnë emigrantët, ndonëse Kodi Zgjedhor është më i kristalizuar këtë herë duke specifikuar se votimi do të bëhet nëpërmjet shërbimit postar.

KQZ-ja dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Fletët e votimit të plotësuara dhe të sekretuara dërgohen në adresën zyrtare të KQZ-së nëpërmjet shërbimit postar me shpenzime te zgjedhësit.

Çfarë mbetet për t’u përcaktuar është tipi i shërbimit postar që do të përdoret, publik apo privat. Shërbimi privat ka kosto të shtuara financiare, ku 50% duhet të mbulohet nga financat publike dhe 50% nga vetë votuesi kur kthen fletën e votimit të plotësuar.

Ndërsa shërbimi publik, që ka një kosto më të reduktuar financiare, shihet me skepticizëm nga opozita për sigurinë e tij./Tpz

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne