“Vrasja e Khaashoggit tronditi gazetarët në Maqedoni dhe në botë”

 Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Naser Selmani, theksoi se vrasja barbare e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, tronditi dhe pikëlloi gazetarët në Maqedoni, por edhe në botë.

Një numër i madh mediash nga rajoni dhe bota transmetuan deklaratën e Prokurorisë Shtetërore të Stambollit, në të cilën u dhanë detaje nga hetimi mbi vrasjen e gazetarit dhe kulumnistit saudit në të përditshmen “Washington Post”, i cili u vra pas hyrjes në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.

Prokuroria e Stambollit njoftoi të mërkurën se Khashoggi është vrarë me paramendim me ngulfatje, menjëherë pas hyrjes së tij në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, ku kishte shkuar të rregullonte dokumentacionin e nevojshëm për martesë. Më pas, trupi i tij i pajetë është gjymtuar dhe asgjësuar.

Kryetari SHGM-së, Naser Selmani, në një prononcim me shkrim për AA, ka komentuar vrasjen e Khashoggit duke thënë se “vrasja barbare e tij tronditi dhe pikëlloi gazetarët në Maqedoni dhe në botë”.

Ai thotë se ky rast duhet të zgjojë ndërgjegjen e të gjithë njerëzimit. “Kjo lloj mizorie kundër gazetarëve dhe lirisë së medias, janë absolutisht të papranueshme dhe të njëjtat duhet të dënohen. Bota e qytetëruar dhe ajo paqësore nuk guxon të lë në harresë vrasjen monstruoze, deri sa të sqarohet e tëra dhe të ndëshkohen përgjegjësit”, thotë Selmani.

Kreu i gazetarëve të Maqedonisë, thotë se janë të zhgënjyer nga përpjekja e autoriteteve saudite për të mbuluar vrasjen.

“Vrasja e një gazetari është përpjekje për të vrarë të vërtetën, dhe kjo nuk guxon të ndodhë. Është shumë e papërgjegjshme kur një vend në të cilin është në fuqi e ligji i Sheriatit të shenjtë, të merret një jetë në mënyrë arbitrare . Kjo i lëndon ndjenjat e të gjithë muslimanëve në botë, sepse është në kundërshtim me vlerat e Librit të Shenjtë, Kuranit”, thekson Selmani.

Ai kërkon që vrasësit e gazetarit Khashoggi të përballen me drejtësinë.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne