Gazetari Igli Çelmeta në emisionin “Opinion” në News24 tha se telefoni i autorit të dyshuar të ngjarjes nuk është sekuestruar ende.
Gazetari e pyeti zv.Drejtorin e Policisë së Tiranës, Idriz Daulle, nëse është sekuestruar ose jo telefoni i autorit të dyshuar, ndërsa zyrtari i policisë tha se nuk ka informacione, por duhet të jetë sekuestruar.
“Unë e di që nuk është sekuestruar ende”, tha Çelmeta.
Ai u shpreh se deklaratat e një dite më parë nga Policia dhe Ministria e Brendshme ngjajnë me ato reagimet që bëjnë partitë politike kundër njëra-tjetrës.
“Mendoj se kemi të bëjmë me një hetim të dobët. Në rastin e vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nuk kemi të bëjmë me një grup kriminal, por me fëmijë, si ka mundësi që ka kaq shumë pikëpyetje? Sepse kemi një hetim i dobët. Mendoj se është një krim i paramenduar, sepse ka pasur sherr më parë dhe këtu ka përgjegjësi edhe shkolla”, tha Çelmeta.
Ai tha se hetimi duhet të kryhet me detaje, kush ia solli thikën autorit të dyshuar, e kishte me vete në shkollë, ku e kishte fshehur?
Zyrtari i Policisë tha se nga dëshmitë që janë mbledhur është mësuar se personi që ka ndërhyrë i ka ndarë fëmijët që po konfliktoheshin. “Ne nuk mund të aludojmë, është prokuroria që po drejton hetimin. Derisa të mbyllet hetimi do të mblidhen provat e tjera”, tha Daulla./BallkanWeb