Erdogan thirrje vendeve muslimane të veprojnë së bashku për të ndalur sulmet izraelite në Palestinë

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan theksoi rëndësinë e unitetit dhe veprimit të përbashkët për vendet islame në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

Erdogan tha se zhvillimet e fundit në Rripin e Gazës dhe territoret e pushtuara palestineze që nga 7 tetori 2023, kanë treguar edhe një herë rëndësinë kritike të unitetit dhe solidaritetit të vendeve islame.

Ai i bëri këto komente në një video-mesazh për Samitin Ndërkombëtar Humanitar mbi “Të ardhmen e Gazës”, i cili u organizua në Istanbul nga Fondacioni Diyanet i Turqise dhe Fondacioni Al-Khair.

“Para syve të botës, gati 50 mijë nga motrat dhe vëllezërit tanë palestinezë, shumica prej tyre fëmijë dhe gra, janë martirizuar”, tha ai, duke shtuar: “Si rezultat i bombardimeve të Izraelit që synojnë drejtpërdrejt civilët, mbi 100 mijë palestinezë të pafajshëm janë plagosur”.

Ai tha se sulmet e Izraelit në Liban kanë rezultuar në mbi 3.500 vdekje dhe se “vendet e adhurimit, shkollat, spitalet dhe të gjitha aspektet e infrastrukturës civile kanë qenë objektiva të sulmeve të Izraelit”.

“Përballë këtyre sulmeve, Turqia qëndron në solidaritet të plotë me vëllezërit dhe motrat tona palestineze”, theksoi presidenti Erdoğan.

“Gjatë vitit të kaluar, ne kemi kërkuar veçanërisht t’u shtrijmë një dorë ndihme motrave dhe vëllezërve tanë në Gaza dhe Liban”, tha Erdogan, duke kujtuar: “Me mbi 86 mijë tonë ndihma të dorëzuara, ne jemi ndër vendet që ofrojnë mbështetjen më të madhe për Palestinën”.

Ai vuri në dukje se sasia e ndihmave të dërguara në Liban ka tejkaluar 1.300 tonë, duke shtuar. “Ne po vazhdojmë përpjekjet tona diplomatike për të siguruar që vendet islame t’i përgjigjen kolektivisht shtypjes në Gaza dhe të veprojnë së bashku”, shtoi presidenti turk.

“Përpjekja jonë do të vazhdojë derisa pushtimi dhe masakrat në Palestinë të marrin fund dhe të krijohet një shtet palestinez i pavarur, sovran dhe territorialisht i bashkuar, me kryeqytet Kudsin Lindor, bazuar në kufijtë e vitit 1967”, nënvizoi ai, duke shprehur besimin e tij se “samiti ndërkombëtar i ndihmës humanitare do të na mbështesë në këtë përpjekje”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress