Vrasja e oficerit të Krimeve, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i pestë

Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim një 50-vjeçar me iniciale G.B, i cili dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së ish oficerit të krimeve në Elbasan Roland Rexhepi. Ngjarja e cila ka ndodhur në vitin 2009, ka si autor pesë persona, tre prej të cilëve të arrestuar, njëri i ekstraduar nga Anglia dy muaj më parë dhe 50-vjeçarin e shpallur në kërkim.

“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Elbasan në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan si rezultat i hetimeve intensive proaktive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, si edhe identifikimin e shtetasve të përfshirë në to, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin G. B., 50 vjeç, banues në Elbasan.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Shtetasi G. B., dyshohet se në bashkëpunim me shtetasit A. Ll., M. T., F. Sh. (të arrestuar) dhe D. H., (i ekstraduar nga Anglia 2 muaj më parë), kanë vrarë shtetasin R. R., në vitin 2009, në Elbasan”, njofton policia. Strukturat hetimore të DVP Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë intensivisht punën për sigurimin e provave me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne