Jepet sot masa e sigurisë për drejtorin e burgut të Peqinit si dhe 12 persona të tjerë, zyrtarë të këtij institucioni dhe protagonistin e ngjarjes së rëndë, Sokol Mjacaj. Prokuroria e Elbasanit i ka kërkuar të dielën Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan masën e ‘arrestit me burg’ për Mjaçajn dhe 12 të tjerët. Kujtojmë se Mjacaj, një i dënuar me burg përjetë qëlloi për vdekje një të burgosur, Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan.
Të arrestuar për ngjarjen në fjalë janë drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, i emëruar në këtë detyrë në Nëntor të këtij viti si edhe Qani Muça, shefi i regjimit të godinës “41 biss”, Nikolin Gjonpalaj, ish-shefi i policisë së burgut të Peqinit, Vilson Shima, shef i regjimit të godinës B, Arben Dulellari, Specialist informacioni, salla operative IEVP Peqin, Fatos Pire, polic shërbimi, përgjegjës sektori kati i parë, godina B, Ilir Balla, punonjës shërbimi godina B, Florenc Mile, polic shërbimi tek godina B, Genci Muça, shërbim në kollonë, godina B, Indrit Dubali, punonjës roli bazë, godina B , Klement Haka, punonjës i rolit bazë, godina B dhe Erjon Çela, polic shërbimi, godina B në IEDP, Peqin.
NGJARJA
Në një nga qelitë e këtij burgu mesditën e të premtes Sokol Mjaçaj, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm në IEVP Peqin, qëlloi me armë zjarri ndaj të dënuarve me burgim të përjetshëm Indrit Shaqja dhe Arben Lleshi. Ky i fundit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa Shaqja mbeti i plagosur dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Autori i këtij krimi të pazakontë dhe nga më të rëndët në historinë e këtij institucioni është i dënuar për vrasjen e dy të turistëve çekë në Dukagjin në vitin 2015. Mjacaj qëlloi 5 herë me pistoletë nga dritarja e qelisë ku ndodhej objektivi i tij. Dy plumba i kanë shkaktuar vdekjen Lleshit, një plumb ka plagosur Indrit Shaqen.
Me armën e krimit në dorë Sokol Mjacaj, është neutralizuar rreth një orë pas ngjarjes me ndërhyrjen dhe negociatat e forcave RENEA, pasi iu garantua se nuk do i cenohej jeta. Hodhi armën dhe me një palë pranga lidhi veten në kangjellat e qelisë dhe priti arrestimin. Nga dëshmia që ka dhënë në hetuesi, Sokol Mjacaj kishte të paktën 20 ditë që e kishte siguruar armën e zjarrit tip pistoletë.
Pas arrestimit në qelinë e IEDP Peqin të autorit të krimit, i dënuar me burgimin të përjetshëm, në pranga përfunduan edhe drejtori Kamber Hoxha dhe 11 punonjës pjesë e zinxhirit komandues, të IEDP, Peqin, të cilët akuzohen se nuk kanë ushtruar kontroll ndaj të burgosurit. Ndërkohë rezulton se në 22 nëntor 2023 Ministria e Drejtësisë ka referuar një dosje në Prokurorinë e Elbasanit për ish-drejtorin e Burgut të Peqinit dhe 15 policë pranë këtij burgu, për veprime që kanë sjellë cënimin e sigurisë në burg. Një pjesë e kamerave të sigurisë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit në Peqin nuk punonin gjatë javëve të fundit. Po ashtu edhe skaneri prej kohësh nuk ka punuar dhe që është rregulluar vetëm para disa ditësh./BW