‘Vrit pulat për të trembur majmunët’! Vrit Berishën ‘për të trembur Ramën’!

Nga Enver Bytyçi

Para pak ditësh, Këshilli i Ambasadorëve të SHBA-ve publikoi raportin e tij për gjendjen në Shqipëri e në rajonin tonë dhe trajtoi me seriozitet edhe çeshtjen e shpalljes non-grata të ish-kryeministrit e ish-presidentit shqiptar, Sali Berisha. Dua të shpjegoj se Këshilli i Ambasadorëve të SHBA-ve është një organizatë me ndikim të fuqishëm në opinionin politik e diplomatik në këtë vend. Anëtarë të tij janë mbi 200 ambasadorë të kohëve të qeverisjes së shumë presidentëve, Bush senior, Clinton, Bush junior, Obama, Trump dhe Biden. Eshtë një autoritet moral më i fuqishëm sesa vetë DASH. Më tërhoqi vëmendjen veç tjerash ky paragraf nga ky raport:

“Ambasadorja Kim na tha privatisht se lufta kundër korrupsionit ishte e një rëndësie kaq thelbësore për politikën e SHBA-së dhe e një prioriteti kaq të lartë, saqë zyrtarët e administratës së Bidenit e konsideruan të rëndësishme që ta bënin dikë shembull– për të theksuar se askush nuk qëndron mbi ligjin ose imun kur bëhet fjalë për krimet e korrupsionit. E kemi parasysh faktin se Berisha është 79 vjeç dhe mund të konsiderohet se po i afrohet fundit të jetës së tij politike, një figurë politike e pazëvendësueshme për disa, por nuk është mënyra amerikane e drejtësisë të verë në shënjestër dikë tjetër për t’i dhënë një mësim një fajtori aktual. Kjo do të ishte më e ngjashme me shprehjen kineze “vrit pulat për të trembur majmunët”.

E kam lexuar dhe rilexuar këtë pasazh brilant të përshkrimit aq të saktë të asaj që ka ndodhur me Sali Berishën. Më ka mbetur në mendje, sepse mjafton ky paragraf që të rrëzojë të gjitha pretendimet e DASH për korrupsionin e tij, aq më pak për atë që Blinken e quan “rrënimi i demokracisë”! Sipas ambasadores Kim, shpallja non-grata e zotit Berisha është bërë për të trembur kryeministrin Rama, ministrat e tij, drejtorët që marrnin nga shteti miliona dhe ia japin firmve që ata kanë krijuar, kriminelëve drejtorë të administrates së shtetit, që blejnë firma me 600 euro dhe e shesin me gjashtëqind mijë euro pas gjashtë muajsh! Në fakt Juri Kim nuk tembi asnjë prej të korruptuarve aktualë, duke dënuar një 79-vjeçar që ka qeverisur para 12 vitesh.

Raporti thotë se kjo “nuk është mënyra amerikane e drejtësisë të verë në shënjestër dike tjetër për t’i dhënë një mësim një fajtori aktual”! Dhe unë e besoj këtë parim, i cili udhëheq drejtësinë dhe politikën amerikane. Po nga e mësoi Juri Kim dhe ata që bashkëpunuan me të këtë formulë të shteteve totalitare? E mësoi nga Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë. Gjithashtu me sponsorizimin e Sorosit, i prirur për të diktuar me dhunë ideologjinë dhe parimet e veta. Babai i Edi Ramës firmosi varjen e Avzi Nelës jo se e njihte atë dhe se ishte i bindur te fajësia e tij. Por se ai besonte që shembulli i varjes së Avzi Nelës do të terrorizonte popullin, qytetarët shqiptarë, me qëllim kontrollin e situates. Rama e kishte të freskët këtë skemë nga i ati. Asokohe ai ishte mbi 20 vjeç. Ai e dinte se Kristaqi dha votën e tij për varjen e poetit që të merrnin mend të gjithë poetët e tjerë të Kukjësit e të Shqipërisë e të mos e kundërshtonin komunizmin si ideologji, si rend e si sistem.

Ndaj ai kishte mundësi ta mrekullonte Kimin me shpjegimet e veta.

Juri Kim me siguri që është entuziazmuar nga mënyra si ia ka servirur kryeministri këtë formulë. “Shiko zonja ambasadore! Në Shqipëri, Berisha konsiderohet si politikan i paprekshëm. Prandaj ne duhet ta godasim pikërisht atë, që të thyejmë mitin e paprekshmërisë. Këta tanët që sot korruptohen do të kuptojnë se kur goditet Berisha, askush nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar“!

Kjo është pak a shumë skema. Më pas janë vënë në punë organizatat e gazetarët e Ramës e të Sorosit, është gjetur McGonigal si instrument ligjor dhe përfundimisht është realizuar skema. Megjithatë, unë besoj se zonja Kim ka gënjyer, kur u ka thënë përfaqësuesve të Këshillit të Ambasadorëve se “donte të bënte një shembull“, pra se donte “të vriste Berishën për të trenbur Ramën“.

Shkaku i vërtetë është ndihma ndaj Edi Ramës për të larguar pengesën Berisha, me qëllim që kryeministri i Shqipërisë të vepronte i qetë në realizimin e planeve të Sorosit, sidomos në Ballkan e ato për Kosovën. Por në mungesë të provave dhe fakteve, të cilat kreu i opozitës i kërkon vazhdimisht, ambasadorja amerikane ka përdorur trikun e të bërit shembull të “të fortit Berisha”, për të ‘paralajmëruar’ “të dobëtin“ Rama”! Një alibi, të cilën askush nuk e beson, por edhe si alibi duket se është autogol në portën e pambrojtur të Juri Kim dhe Antony Blinken, të stimuluar nga penicilina Soros./syritv

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne