Të paktën 6 palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet që ushtria izraelite kreu gjatë natës në qytete të ndryshme të Rripit të Gazës. Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite kreu sulme gjatë natës në qytetin Deir Al-Balah dhe në kampin e refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës si dhe në bulevardet “Al-Sahaba” dhe “Al-Sabra” në qytetin e Gazës në veri të Rripit të Gazës.
Bëhet e ditur se 2 persona humbën jetën në sulmin e kryer ndaj tendave të civilëve të zhvendosur në rajonin Al-Baraka në jug të Deir Al-Balah. Deri më tani janë gjetur trupat e 3 personave që humbën jetën në sulmin e kryer ndaj familjes “Al-Shami” në rajonin Sabra. Ndërsa në sulmin që shënjestroi familjen Al-Shubeki në bulevardin “Sahaba” humbi jetën një person dhe u plagosën shumë të tjerë.
Po ashtu të vdekur dhe të plagosur ka pasur edhe në sulmin e kryer ndaj “Bllokut 12” në kampin e refugjatëve Al-Bureij. Forcat izraelite hapën zjarr edhe ndaj ekipeve të Mbrojtjes Civile që shkoi në rajon për të nxjerrë të vdekurit dhe të plagosurit nga rrënojat./AA