Vuçiç: Fitore absolute për të cilën jam jashtëzakonisht i lumtur, kemi shumë për të bërë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili po ashtu kryeson listën “Serbia nuk duhet të ndalet”, tha mbrëmë se kjo listë në nivel republikan, pa vota nga Kosova, ka fituar 46.5 për qind, bazuar në 76 për qind të votave të numëruara, që i bie më shumë se 127 mandate në parlament.

“Një fitore absolute për të cilën jam jashtëzakonisht i lumtur. Ne i premtuam popullit se Serbia do të jetë një vend tjetër, se nuk do ta njohin atë për tre vjet. Na ka mbetur shumë për të bërë. Na kanë mbetur shumë gjëra të rëndësishme që duhet bërë. Por, të marrësh kaq shumë vota, që ky të jetë rezultati i dytë më i mirë në histori pas 11 vitesh qeverisje, më duhet të them se jam jashtëzakonisht i lumtur”, tha Vuçiq pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai theksoi se pas fitores kaq bindëse do të duhet të ndryshojnë veten.

“Ne do të duhet të kujdesemi më shumë për njerëzit e zakonshëm. Do të duhet të punojmë për shumë gjëra të tjera, para nesh kemi një periudhë të vështirë. Por, do të duhet të flasim edhe këtë, të vazhdojmë rrugën tonë evropiane dhe do të ketë negociata të vështira dhe lëshime jo të lehta me Prishtinën, por ne gjithmonë do ta mbrojmë Kosovën si pjesë e territorit të Serbisë”, tha Vuçiq.

Ai foli për të dhënat paraprake, duke thënë se lista “Serbia nuk duhet të ndalet” padyshim se ka fituar më së shumti vota edhe në Beograd.

“Ka zgjedhje për të cilat askush nuk foli sonte dhe janë shumë të rëndësishme, po flasim për zgjedhjet për Kuvendin Krahinor të Vojvodinës. Ju e dini që janë 120 deputetë, nga të cilët shumica absolute është e Listës ‘Serbia nuk duhet të ndalet’, nga 120 deputetë, lista ‘Serbia nuk duhet të ndalet’ do të ketë nga 67 deri në 69”, tha Vuçiq.

Ai deklaroi se në vendin e dytë është “Serbia kundër dhunës” me 28 apo 29 ulëse, ndërsa në vendin e tretë do të jetë “Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës” me gjasa 9 mandate. Pastaj është Partia Socialiste e Serbisë me shtatë mandate, koalicioni “Shpresa” me 6 mandate dhe partia ruse me një mandat.

“Sa i përket Serbisë, në bazë të numërimit të 76 për qind të votave ‘Serbia nuk duhet të ndalet’ ka 46.5 për qind, ‘Serbia kundër dhunës’ 23.5 për qind, por pa numëruar votat e Kosovës. Lista ‘Serbia nuk duhet të ndalet’ do të ketë më shumë se 127 mandate. Lista ‘Serbia nuk duhet të ndalet’ do të ketë shumicë absolute”, tha Vuçiç. Ai theksoi se deri më tani nuk kanë gjetur asnjë vendvotim në Serbi ku lista “Serbia nuk duhet të ndalet” ka marrë më pak vota se në zgjedhjet e kaluara.

“Sa i përket Beogradit, lista ‘Serbia nuk duhet të ndalet’ është e para, lista fituese në Beograd me 38.5 për qind të votave, në vendin e dytë është lista ‘Serbia kundër dhunës’ me 35 për qind, lista ‘Shpresa’ është në vendin e tretë me 6 për qind, Partia Socialiste e Serbisë me 5.4 për qind dhe Nestoroviq me 5.1 për qind. Prandaj them se nuk do të dihet se kush do ta formojë pushtetin në Beograd, edhe pse jam i sigurt se kryetar do të jetë Aleksandar Shapiq”, tha Vuçiq.

Ai foli edhe për fushatën elektorale duke u shprehur se gënjeshtrat nuk kanë fund.

– Zgjedhjet e parakohshme

Në Serbi mbrëmë u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Krahinës Autonome të Vojvodinës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryeqytetin Beogradin dhe 65 vetëqeverisje të tjera lokale.

Të drejtë vote në zgjedhjet parlamentare kishin 6.500.165 qytetarë, në zgjedhjet krahinore në Vojvodinë 1.669.734 dhe në Beograd 1.613.190 qytetarë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne