Winston Peters: Sulmi i ndërmarrë ndaj myslimanëve është sulm i ndërmarrë ndaj të gjithëve

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters bëri të ditur se terroristi, Brenton Tarrant, i cili javën e kaluar masakroi 50 persona gjatë faljes së namazit të xhumasë në dy xhamitë në qytetin Christchurch, jetën do ta kalojë në burg, ndërsa shtoi se “Zelanda e Re ka filluar hetimin më të madh të historisë së saj”.

Winston Peters ndodhet në Stamboll për të marrë pjesë në samitin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) që po zhvillohet me temë sulmin terrorist në Zelandën e Re.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe njëherësh Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, Mevlut Çavusoglu, Sekretari i Përgjithshëm i OBI-t, Yusuf Bin Ahmed Al-Useymin dhe Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm i Zelandës së Re, Winston Peters organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalën e tij të mbajtur gjatë konferencës, Winston Peters tha se vendi i tij i kushton rëndësi lirisë së besimit, ndërsa shtoi se kanë marrë të gjitha masat që myslimanët në Zelandën e Re të ndihen të sigurt.

Duke vënë në dukje se “sulmi i ndërmarrë ndaj myslimanëve pranohet si një sulm i ndërmarrë ndaj të gjithëve dhe ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm”, ministri Peters tha: “Terroristi Brenton Tarrant jetën e tij do ta kalojë vetëm në një qeli në Zelandën e Re. Ne kemi filluar hetimin më të madh të historisë sonë”./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne