Bota

Xhamia më e madhe në Evropë po ndërtohet në Strasburg të Francës

Xhamia “Eyüp Sultan” në Strasburg të Francës, ndërtimi i së cilës po vazhdon parashikohet të pëfundojë brenda 3,5 viteve, raporton Anadolu Agency .

Kryetari i Përgjithshëm i Komunitetit Islam Milli Gorus (IGMG), Kemal Ergün me qendër në Këln të Gjermanisë në deklaratën për gazetarët tha se “Kompleksi dhe xhamia, themelet e së cilës filluan të ndërtohen në muajin tetor 2018 shpresojmë të përfundojnë brenda 3,5 viteve”.

“Kjo xhami do të jetë më e madhja në Evropë duke përfshirë edhe Ballkanin. Ajo ka një arkitekturë plotësisht osmane dhe brenda saj mund të kryejnë adhurimin përnjëherësh 3.500 persona ndërsa në të gjithë kompleksin e saj 5.000 njerëz”, tha Ergün.

Ai thotë se xhamia është ndërtuar në një sipërfaqe prej 14.500 metër katrorë. “Në këtë kompleks ka ambiente të ndryshme si restorante, lokale të ndryshme për fëmijë, të rinj, gra dhe të rritur, qendra për promovimin e Islamit, shkolla të niveleve të ndryshme. Kompleksi do të shërbejë edhe si një vend ku do të jenë të pranishme edhe vepra të arteve të punës së dorës të kulturës së Anadollit që janë reflektim i kulturës sonë të hershme. Do të jenë të pranishme edhe qendra të punës për promovimin dhe shpjegimin e islamit si dhe për të eliminimin e paragjykimeve dhe për të luftuar diskriminimin”, thekson Ergün.

“Ky është një vend në një largësi vetëm prej disa kilometra nga Parlamenti Evropian. Pasi të përfundojë do të jetë një vend i vizitueshëm në Evropë, kryesisht edhe nga qyteti i Strasburgut. Në të njëjtën kohë kjo do të shërbejë edhe si një qendër ku do të përcillen informacione për Islamin ndaj komunitetit dhe kryesisht muslimanëve”, tha Ergün duke bërë të ditur se do të ndërtohet një kompleks në një hapësirë të gjerë.

Sipas tij, për zbatimin e këtij projekti janë kryer punime shumë serioze. Ergün ka shprehur falënderimet për drejtuesit e qytetit, përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe popullatës së rajonit për tolerancën që ato kanë treguar.

OPINIONE