Ylfete Fanaj, deputetja më e votuara në Lucern të Zvicrës

Me 6908 vota, Ylfete Fanaj, ka fituar më së shumti nga të gjithë kandidatët e qytetit të Lucernit.

“Jam shumë e gëzuar: me 6908 vota të fituara, kam arritur rezultatin më të lartë në qytetin e Lucernit dhe jam rizgjedhur (në Parlamentin e Kantonit). Kemi 3 vende më shumë (si parti SP) dhe të katër të zgjedhurit rishtas, janë femra. Gëzuar!”. Këtë postim e ka bërë në faqen e saj në facebook Ylfete Fanaj, e cila fiton kështu në mënyrë bindëse mandatin e tretë në Parlamentin e Kantonit të Lucernit.

Më shumë se ajo kanë fituar katër kandidatë nga FDP, të gjithë nga zonat tjera të kantonit, jashtë qytetit të Lucernit.

Edhe partia e saj, SP ka shënuar një rezultat shumë të mirë, duke fituar tri vende më shumë në parlament. Nga ana tjetër, partitë e djathta, SVP, CVP dhe FDP të cilat janë zakonisht favorite në këtë kanton, kanë shënuar rënie të theksuar, me 7 gjegjësisht 4 dhe 3 vende më pak të fituara.

Fitoren më të madhe e ka realizuar Partia e Gjelbër (Grüne Partei) e cila ka dyfishuar numrin e vendeve në parlament: nga 7 sa i ka pasur deri tash, në 14.

Të kujtojmë: Ylfete Fanaj është prej tetë vitesh deputete në Parlamentin Kantonal ndërsa pak më vonë ajo është zgjedhur edhe shefe e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në këtë parlament.

E lindur në vitin 1982 në Prizren dhe e ardhur në Zvicër në vitin 1991, Ylfete Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare që është zgjedhur në nivel asambleje komunale dhe kantonale në këtë vend. Ajo po ashtu është shqiptarja e parë e Zvicrës në përgjithësi, e zgjedhur shefe e një grupi parlamentar në çfarëdo niveli.

Fanaj është aktive në politikë prej një kohe të gjatë. Ajo, nga viti 2011 ka qenë deputete e Partisë Socialdemokrate në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Para kësaj ajo ka përfaqësuar po këtë parti në Asamblenë e qytetit të Lucernit.

Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare në Zvicër, e zgjedhur në një parlament kantoni dhe asamble komune.

Për një kohë Ylfete Fanaj ka qenë edhe kryetare e organizatës Second@s në nivel të Zvicrës.

Ajo ka qenë dhe është shumë aktive në jetën shoqërore të shqiptarëve të Zvicrës./ albinfo.ch/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne