Zbardhet atentati në Rinas: Informatori ndiqte Gilmando Danin që nga aeroporti, autorët e qëlluan për vdekje me tre “Kallashnikovë”

Janë zbuluar detaje të reja tronditëse për atentatin e ndodhur sot pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë shoqëruesi i tij, Mustafa (Muço) Sheqeri, i njohur edhe si Shaljani.

Sipas burimeve hetimore, policia e Tiranës ka identifikuar një prej personave që dyshohet se ka pasur rolin e informatorit dhe vëzhguesit në ngjarje. Ai është parë të ndjekë Danin dhe Shaljanin që nga momenti kur dolën nga aeroporti dhe po shkonin drejt parkimit për të marrë automjetin e tyre tip “Benz”, i cili kishte qenë i parkuar që nga data 7 nëntor — dita kur ata kishin udhëtuar për në Barcelonë.

Fillimisht, i dyshuari ishte i maskuar me syze, por më vonë është shfaqur me fytyrën e zbuluar, gjë që ka ndihmuar ndjeshëm grupin hetimor në identifikimin e tij. Ai qëndronte vetëm disa dhjetëra metra larg viktimave dhe, sipas provave, komunikonte në kohë reale me autorët e atentatit, të cilët ndodheshin në një automjet tip “Toyota”, më pas i përdorur në ekzekutim.

Nga hetimet rezulton se autorët kishin mbërritur disa minuta përpara ngjarjes në zonën e rrethrrotullimit të Rinasit. Për shkak të një vonese prej rreth 40 minutash të avionit me të cilin udhëtonte viktima, makina e atentatorëve qëndroi aty pa u bërë e dyshimtë — një sjellje e zakonshme në një zonë aeroporti, ku pritjet janë të shpeshta.

Në momentin që informatori njoftoi se Dani dhe Shaljani kishin dalë nga aeroporti, autorët morën pozicion në krahun tjetër të rrethrrotullimit, duke u përgatitur për të ndjekur drejtimin e Fushë-Krujës.

Pamjet filmike tregojnë informatorin teksa vëzhgon automjetin “Benz” ku ndodheshin viktimat. Ai nuk largohet gjatë ngjarjes, por qëndron aty duke ndjekur gjithçka, e më pas merr makinën e tij të parkuar në aeroport dhe zhduket.

Sipas policisë, ky person është një hallkë kyçe për zbardhjen e plotë të atentatit dhe pritet të shpallet në kërkim për bashkëpunim në vrasje me paramendim.

Burimet policore bëjnë me dije se në atentat kanë marrë pjesë tre persona, të cilët kanë qëlluar me tre armë automatike tip “Kallashnikov” drejt makinës ku ndodheshin Dani dhe Shaljani. Në momentet e para të të shtënave, Shaljani ka tentuar të dalë nga automjeti, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur.

Ndërkohë, mjeti “Toyota” i autorëve është rikthyer pranë vendngjarjes dhe ka qëlluar sërish në drejtim të “Benz”-it. Njëri prej autorëve ka zbritur nga makina, është afruar pranë derës së pasagjerit dhe ka qëlluar nga një distancë shumë e afërt me armë pistoletë, duke ekzekutuar Gilmando Danin.

Pas krimit, autorët janë larguar drejt fshatit Halil, ku kanë djegur automjetin “Toyota” bashkë me armët e përdorura, për të zhdukur çdo provë. Nga breshëritë e plumbave janë dëmtuar edhe disa biznese përreth, por fatmirësisht pa shkaktuar viktima të tjera./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne