Zbulohet skandali, si falsifikohet vaji i ullirit dhe si shitet djathi i mykur për kaçkavall

Emisioni “Stop” në Tv Klan ka denoncuar krimin shëndetësor që bën subjektin “Saranda Al” me produktet ushqimore. Në redaksinë e emisionit mbërriti një denoncim nga një ish-punonjëse e këtij subjekti, që tregton produkte bulmeti dhe vaj sallate e ulliri.

Në kushte anonimati, kjo ish-punonjëse tregon se në magazinën e subjektit “Saranda Al” çdo gjë është e falsifikuar. Vajit të sallatës, që shitet si i përzier mes vajit luledielli dhe vajit të ullirit, ajo thotë se i hidhet ngjyryes dhe nuk ka aspak vaj ulliri.

Këtë pohim e mbështesin edhe pamjet e fshehta, që tregojnë se si pronari i subjektit “Saranda Al”, Mihal Kote, udhëzon punëtorët që të hedhin përzierës, ngjyrues dhe kimikate të tjera në vaj.

Sipas të njëjtit denoncim, në magazinën e këtij subjekti mblidheshin shumë lloje vajrash, kryesisht vaj luledielli i skaduar, pa etiketë dhe riambalazhohej me etiketë të re nën emrin “Saranda Al” me pronar Mihal Kote.

Vajit të lulediellit i shtohen disa përbërës, një lloj lëngu me ngjyrë të kuqe dhe një produkt tjetër në formën e plastelinës, që përzihet në enë të vecanta dhe i shtohet vajit të lulediellit, për të marrë ngjyrën dhe aromën e vajit të ullirit.

“Unë kam punuar dikur tek shoqëria e Sarandës, punëtore, kam mbushur vaj, kam paketuar djath, i kam bërë të gjitha proceset brenda në magazinë. Por kam parë shumë gjëra skandaloze. Si për shembull, vaji që nuk ishte fare asnjë pikë vajë ulliri brenda. Ishte thjesht val luledielli, i hidhnin një bojë jeshile nuk e di se çfarë ishte, nuk ja di emrin; një bojë të kuqe, shumë solucione, një erë limoni, dhe shumë gjëra të tjera që ai e quante vaj sallate. Përzierja bëhej vetë nga punëtorët. Kishte një formulë që ia kishte dhënë pronari vetë dhe me atë formulën e peshonin me gramatura. I peshonte punëtori dhe i  hidhte në cisternën e vajit të lulediellit. Djathi për shembull kur vinte, lexonte etiketa feta lope, ky e shiste për djath dhie. Ndryshonte thjesht etiketën, jo ambalazhimin dhe e shiste në treg për djath dhie. E kishte dhe në etiketë aty te peshorja, dilte djath dhie. Kaçkavall i grirë shumë probleme, shumë i pistë, kaçkavall lope gjithë mbeturinat  që kthehen nga tregu pastroheshin nga myku, hidheshin në një tavë, aty i pastronim edhe i hedhim pastaj në tavë, pastaj i hidhnim për grirje. Pastaj e përzienim dhe një kaçkavall që ishte shumë i lirë që nuk mund të quhet kaçkavall, e merrte shumë të lirë atë për t’i ulur koston dhe e përziente me mbeturinat e tregut” – ishte deklarata e denoncueses në “Stop”.

Një tjetër skandal, përveç përzierjes së vajit të sallatës, është edhe djathi kaçkavall që tregtohet nga subjekti “Saranda Al”. Nga kamerat e fshehta shihet se si kaçkavalli i grirë prodhohet nga djathi i mykur, që pastrohet dhe grihet për t’u rihedhur në treg nga “Saranda Al”. “Stop” ka hyrë brenda ambienteve të magazinave të “Saranda Al”, duke faktuar krimin, që bëhet çdo ditë me shëndetin e qytetarëve. Po kështu, shihet qartë se si edhe djathi i lopës shitet si djath dhie nga subjekti “Saranda Al”, duke i ndërruar etiketat.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress