Zelanda i bashkohet SHBA-së dhe Britanisë në marrjen e masave kundër kolonëve izraelitë

Zelanda e Re iu bashkua SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në sanksione ndaj disa kolonëve ekstremistë izraelitë në mes të përshkallëzimit të dhunës kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar. Në një deklaratë, kryeministri Christopher Luxon dhe ministri i Jashtëm Winston Peters njoftuan ndalesat e udhëtimit për një numër kolonësh ekstremistë izraelitë që kanë kryer sulme të dhunshme kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

“Zelanda e Re është seriozisht e shqetësuar për rritjen e ndjeshme të dhunës ekstremiste nga kolonët izraelitë kundër popullatës palestineze në muajt e fundit. Kjo në mënyrë të veçantë i ndihmon destabilizimit i cili tashmë është mjaft i përshkallëzuar”, tha Luxon. Luxon shtoi se vendi i tij vendosi ndalesa udhëtimi për një numër njerëzish që dihet se kanë kryer akte të dhunshme dhe se këta individë nuk do të mund të udhëtojnë në Zelandën e Re.

“Zelanda e Re e ka ndërmarrë këtë hap për të sinjalizuar qartë se kjo sjellje është e papranueshme. Individët përgjegjës për kryerjen e akteve të dhunës po minojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në këtë rajon”, tha gjithashtu Peters. “Kolonizimi minon perspektivat për zgjidhje të qëndrueshme me dy shtete. Deklaratat e fundit të disa ministrave izraelitë rreth planeve për ndërtimin e mëtejshëm të vendbanimeve janë një shqetësim serioz dhe do të rrisin më tej tensionet midis izraelitëve dhe palestinezëve”, shtoi ministri i jashtëm.

Në fillim të këtij muaji, SHBA-ja dhe Britania e Madhe vendosën gjithashtu sanksione kundër kolonëve ekstremistë izraelitë në mes të kërcënimeve të palestinezëve, shpesh me armë, dhe duke i detyruar ata të largohen nga toka që me të drejtë u takon atyre. Vlerësimet tregojnë se rreth 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë në rreth 300 vendbanime të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Të gjitha vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi ofensivën e pamëshirshme ushtarake kundër Rripit të Gazës pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023. Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për sulmet shkatërruese dhe të pamëshirshme në Rripin e Gazës, në të cilat kanë vdekur mbi 30 mijë njerëz. Në një vendim të përkohshëm në janar, gjykata me bazë në Hagë urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne