SPAK merr të pandehur kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili akuzohet për fshehje të një dënimi në Greqi, kohë kur ishte emigrant i paligjshëm. Hajdari akuzohet për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Dosja e Hajdarit dërgohet për gjykim në GJKKO.
NJOFTIMI
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 18.12.2023 ka paraqitur kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.80 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Kreshnik Hajdari, aktualisht me detyrë Kryetar i Bashkisë Kuçovë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Nga aktet e administruara në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.80 të vitit 2023, ka rezultuar se shtetasi Kreshnik Hajdari, duke qenë kandidat për Kryetar i Bashkisë Kuçovë, në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara me datë 30 qershor 2019, ka patur detyrimin ligjor dhe ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit (me datë 11.05.2019), të cilin e ka dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (protokolluar me nr.3222, datë 13.05.2019).
Po ashtu, shtetasi Kreshnik Hajdari, duke qenë kandidat për Kryetar i Bashkisë Kuçovë në zgjedhjet vendore për organet e qeverisjes vendore të zhvilluara me datë 14 maj 2023, ka patur detyrimin ligjor dhe ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit me datë 26.03.2023, të cilin e ka dorëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (protokolluar me nr.17366, datë 02.04.2023).