Zyrtarë jemenas akuzojnë EBA-në për armatosjen e separatistëve

Dy zyrtarë të Qeverisë së Jemenit sot akuzuan Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për sigurimin e dronëve për Këshillin Kalimtar Jugor (STC), grupit separatist në jug të vendit.

“Ushtria (jemenase) rrëzoi dronët e STC-së duke avancuar në frontin e betejës”, shkroi në Twitter, Mukhtar al-Rahbi, këshilltar i ministrit të informacionit.

Ai shtoi se dronët erdhën në duart e luftëtarëve të STC-së nga EBA dhe u përdorën për të “shënjestruar ushtrinë dhe popullin e Jemenit siç bënë në Libi”.

Zëvendës ministri i Informacionit, Mohammad Qizan gjithashtu konfirmoi rrëzimin e dronëve në provincën Abyan.

EBA dhe STC ende nuk janë prononcuar rreth akuzave të Jemenit.

Gjatë ditëve të fundit, janë rikthyer përplasjet midis ushtrisë jemenase dhe separatistëve të STC-së në Abyan, duke shkelur armëpushimin si pjesë e marrëveshjes së Rijadit për ndarjen e pushtetit.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin, Sana. Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga sauditët nisi një fushatë ajrore shkatërruese që synonte të rikthente territoret e pushtuara nga Huthit.

Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet se janë vrarë në konflikt, i cili ka çuar në një nga krizat më të rënda humanitare në botë pasi miliona njerëz mbeten të rrezikuar nga uria./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne