100 milionë euro për koncesionin e sterilizimit/ Ilir Beqaj paraqitet sërish në SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme, disa ditë pasi SPAK i komunikoi akuzën për shpërdorim detyre. Ish-ministri Beqaj ka mbërritur në ambientet e SPAK rreth orës 09:00 i shoqëruar nga avokati i tij. SPAK vendosi Ilir Beqajn nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, me koncesionin prej 100 milionë euro për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale në spitalet shtetërore.

Ish-ministri socialist i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte prej shumë muajsh me statusin e personit nën hetim dhe paraqitej çdo të premte në SPAK. Koncesioni afro 100 milionë euro në 10 vjet siguron instrumentet kirurgjikale të personalizuar, mjete njëpërdorimshme kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektim të sallave kirurgjikale.

Ai u miratua nga ministria e shëndetësisë në dhjetor 2015, që shpalli fitues kompaninë SaniService, por afro 8 vjet pas kësaj, SPAK-u arrestoi në gusht 2023 sipërmarrësin e koncesionit në akuzën e mashtrimit, Ilir Rrapaj dhe ish-zëvendës ministrin Klodian Rrjepaj për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa sot edhe ish ministri Beqaj u akuzua për shpërdorim detyre. Ata dyshohen se kanë shkelur procedurat ligjore të dhënies së koncesionit, kanë toleruar shkeljet e njëri tjetrit, duke përshtatur dokumentet dhe treguesit spitalorë dhe financiarë me qëllimin e paracaktuar, që koncesionin ta fitonte shoku i vjetër i ish-zëvendës ministrit Rrjepaj./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne