Petro Prodani
Grimca historike.
1921 – Të drejtat e minoriteteve në Shqipëri dhe Lidhja e Kombeve.
Fan Noli, nënshkruesi i marrëveshjes midis Shqipërise dhe Fuqive të Mëdha.
Shënimi rëndësishëm: Shkrimi i drejtohet personave që kanë dëshire të lexojnë dokumenta historikë. Ai nuk është i përshtatshëm për ata që i dinë te gjitha…
Në datën 5 Tetor 1921, në Gjenevë të Zvicreës, Fan Noli nënshkroi marrëveshjen që paraqitet më poshtë e përkthyer në shqip.
Nuk është e qartë se kush i dha atij autorizimin të firmoste një ligj aq thelbësor dhe progresiv. Nuk dihen as motivet për të cilat ai mori përsiper nje barë të madhe të cilën do ta shkelte me këmbe pak muaj më vonë.
Duke i lenë diskutimet dhe hipotezat tek lexuesi do të ndalem tek Neni III, pikërisht tek paragrafi që thotë:
“Të gjithë shtetasit shqiptarë që deri në momentin e hyrjes në fuqi të Traktatit midis Shteteve Kryesore Aleate dhe Greqisë, të nënshkruar në Sèvres më 10 Gusht 1920, banonin në territoret e transferuara Greqisë me traktate të nënshkruara pas 1 Janarit 1915, do të njihen de-facto si shtetas grekë pa kërkesën e ndonjë formaliteti të veçantë.
Megjithatë, ata do të kenë të drejtë të zgjedhin shtetësinë shqiptare siç parashikohet në Nenin 3 të Traktatit të Sèvres. Asnjë pengesë nuk do të vihet në ushtrimin e kësaj të drejte. Kjo e drejtë duhet të ushtrohet brenda një viti nga hyrja në fuqi e Traktatit në fjalë.”
Jam shumë kurioz të di sa shqiptarë që jetonin në Greqi aplikuan të merrnin nënshtetesi dhe pashaportë shqiptare …
Në vazhdim, dokumenti i përmendur më sipër.
DEKLARATE
Neni I.
Kerkesat e kësaj deklarate njihen si ligje themelore të Shqipërisë. Asnjë ligj, rregullore ose veprim zyrtar nuk do të bjerë ndesh, ose ndërhyjë në këto përcaktime. Asnjë ligj, rregullore ose veprim zyrtar, tani ose në të ardhmen, nuk do të mbiveprojë mbi to.
Neni II.
Të gjithë banorëve të Shqipërisë do t’ju sigurohet mbrojtja e plotë e jetës dhe lirisë, pa dallim origjine, kombësie, gjuhe, race apo feje. Të gjithë banorët e Shqipërisë do të kenë të drejtën të praktikojnë lirisht në jëtën publike dhe private çdo besim fetar praktikat e të cilit nuk janë në kundërshtim me rendin dhe moralin publik. Ata do të kenë të drejtë të ndryshojnë fenë e tyre.
Në rastin e muslimanëve do të merren masa të përshtatshme për rregullimin e ligjit familjar dhe statusit personal në përputhje me zakonet muslimane.
Neni III.
Të gjithë personat e lindur në Shqipëri që nuk kanë lindur si shtetas të një shteti tjetër, do të jenë de-facto shtetas shqiptarë.
Të gjithë personat që kanë banuar rregullisht në Shqipëri që para luftës do të lejohen, së bashku me gratë dhe fëmijët e tyre nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç, të bëhen shtetas shqiptarë. Që ta marin këtë shtetësi, ata duhet të bëjnë kërkesë brenda dy viteve nga data e kësaj Deklarate.
Të gjithë shtetasit shqiptarë që deri në momentin e hyrjes në fuqi të Traktatit midis Shteteve Kryesore Aleate dhe Greqisë, të nënshkruar në Sèvres më 10 Gusht 1920, banonin në territoret e transferuara Greqisë me traktate të nënshkruara pas 1 Janarit 1915, do të njihen de-facto si shtetas grekë pa kërkesën e ndonjë formaliteti të veçantë.
Megjithatë, ata do të kenë të drejtë të zgjedhin shtetësinë shqiptare siç parashikohet në Nenin 3 të Traktatit të Sèvres. Asnjë pengesë nuk do të vihet në ushtrimin e kësaj të drejte. Kjo e drejtë duhet të ushtrohet brenda një viti nga hyrja në fuqi e Traktatit në fjalë.
Shqipëria është e përgatitur të përmbushë çdo rekomandim që mund të jepet nga Këshilli i Lidhjes së Kombeve në lidhje me emigrimin reciprok dhe vullnetar të personave që u përkasin pakicave etnike.
Neni IV.
Të gjithë shtetasit shqiptarë do të jenë të barabartë para ligjit dhe do të gëzojnë të njëjtat të drejta civile dhe politike pa dallim race, gjuhe apo feje.
Në Shqipëri do të zbatohet një sistem zgjedhor që do të marrë parasysh të drejtat e pakicave racore, fetare dhe gjuhësore në nje nivel të kosiderueshëm.
Dallimet fetare, apo ushtrimi i nje besimi te caktuar, nuk do të paragjykojnë asnjë shtetas shqiptar në çështjet që lidhen me gëzimin e të drejtave civile dhe politike. Për shëmbull; punësime në administraten qeveritare, funksione dhe promovime shteterore, ose ushtrimi i profesioneve respektive në të gjitha fushat e ekonomisë.
Nuk do të vendoset asnjë kufizim në përdorimin e lirë nga çdo shtetas shqiptar të çdo lloj gjuhe në marrëdhëniet private, në tregti, në fe, në shtyp ose në botime të çdo lloji, ose në takime publike.
Pavarësisht përcaktimit të shqipes si gjuhë zyrtare, shtetasve shqiptarë jo-shqipfolës do t’ju krijohen lehtësirat e nevojshme për përdorimin e gjuhës së tyre përpara gjykatave, qoftë me gojë, qoftë me shkrim.
Neni V.
Shtetasit shqiptarë që u përkasin pakicave racore, fetare ose gjuhësore, do të gëzojnë të njëjtin trajtim, siguri ligjore dhe reale, njesoj si shtetasit e tjerë shqiptarë.
Në veçanti, ata do të kenë të drejtën e barabartë që me shpenzimet e tyre të mirëmbajnë, menaxhojnë, kontrollojnë, krijojnë institucione bamirëse, fetare dhe shoqërore, shkolla dhe organizata të tjera arsimore, me të drejtën për të folur gjuhën amtare dhe për të ushtruar lirisht fenë e tyre në to.
Brenda gjashtë muajve nga data e kësaj Marrëveshjeje, Këshillit të Lidhjes së Kombeve do t’i paraqitet informacion i detajuar në lidhje me statusin ligjor të komuniteteve fetare, kishave, manastireve, shkollave, institucioneve vullnetare dhe shoqatave të pakicave racore, fetare dhe gjuhësore.
Qeveria Shqiptare do të marrë në konsideratë çdo këshillë që mund ti vijë nga Lidhja e Kombeve në lidhje me çështjet e sipërpërmëndura.
Neni VI.
Në qytetet dhe rrethet ku një pjesë e konsiderueshme e banorëve me nacionalitet shqiptar ka për gjuhë amtare një gjuhë të ndryshme nga ajo zyrtare, sistemi publik arsimor do të marrë masat dhe lehtësirat e nevojshme për të siguruar mësimdhënien në gjuhën amtare për fëmijët e këtyre shtetasve.
Nënkuptohet që dispozita në fjalë nuk pengon mësimdhënien e detyrueshme në gjuhën zyrtare në shkollat e zonave të sipërpërmendura.
Në qytetet dhe rrethet ku një pjesë e konsiderueshme e shtetasve shqiptarë ju përkasin pakicave racore, fetare, ose gjuhësore, duhet që fondet publike nga buxhetet shtetërore, bashkiake, etj, të planifikuara për arsimin, fenë, ose bamirësinë të përdoren në mënyrë të tillë që këto pakica të marin përqindjen që ju takon.
Neni VII.
Kushtet në Nenet e mësipërme të kësaj Deklarate, për aq sa ato ndikojnë te personat që u përkasin pakicave racore, fetare ose gjuhësore, shpallen se përbëjnë detyrime me interes ndërkombëtar dhe do të vendosen nën garancinë e Lidhjes së Kombeve. Atyre nuk do t’ju bëhet as edhe një lloj ndryshimi pa pëlqimin e shumicës së Këshillit të Lidhjes së Kombeve.
Çdo Anëtar i Këshillit të Lidhjes së Kombeve do të ketë të drejtë të sjellë në vëmendjen e Këshillit çdo shkelje ose rrezik shkeljeje të ndonjë prej këtyre kushteve.
Këshilli mund të marrë masa dhe të japë udhëzime që mund t’i konsiderojë të përshtatshme dhe efektive në rrethana të caktuara.
Çdo opinion i ndryshëm mbi situatën ne vënd dhe çështje ligjore që do të lindë si pasojë e zbatimit të neneve të pranuara nga Qeveria Shqiptare dhe Fuqitë e Medha, apo çdo Anëtari të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, do të konsiderohet si një mosmarrëveshje me karakter ndërkombëtar sipas Nenit 14 të Paktit të Lidhjes së Kombeve.
Çdo mosmarrëveshje e tillë, nëse kërkohet nga një palë e përfshire në ketë çështje, do t’i drejtohet Gjykatës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare. Vendimi i Gjykatës së Përhershme do të jetë përfundimtar dhe do të ketë të njëjtën fuqi dhe efekt si një vendim sipas Nenit 13 të Paktit./fb
















