Të dielën, dhjetëra mijëra qytetarë, organizata të shoqërisë civile, sindikata dhe shoqata u mblodhën në kryeqytetin belg, Bruksel, në një protestë masive me moton “Ne Vëmë Vijën e Kuqe”, në solidaritet me Palestinën dhe në dënim të asaj që e quajtën gjenocid izraelit në Gaza.
Organizatorët kishin paralajmëruar një veprim simbolik: një “vijë e kuqe” e formuar nga mijëra njerëz të veshur me të kuqe, për të dërguar një mesazh të fuqishëm vizual dhe moral. “Të gjitha vijat e kuqe në Gaza janë kaluar prej kohësh. Heshtja nuk është më e pranueshme,” deklaruan ata.
Pjesëmarrësit krijuan një zinxhir njerëzor në zemër të kryeqytetit, duke dënuar hapur gjenocidin, spastrimin etnik, përdorimin e urisë si armë, bombardimet pa dallim dhe shkatërrimin sistematik të lagjeve civile.
Protesta kërkoi gjithashtu fundin e pandëshkueshmërisë për krimet ndaj civilëve dhe mbajtjen përgjegjëse të qeverive europiane që mbështesin pushtimin izraelit, pavarësisht pretendimeve të tyre për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Mes kërkesave kryesore të protestës ishin:
- Përfundimi i okupimit izraelit
- Ndalimi i eksporteve të armëve drejt Izraelit
- Vendosja e sanksioneve të menjëhershme
- Mbështetja për të drejtën e vetëvendosjes së popullit palestinez
Kjo protestë është pjesë e një vale më të gjerë veprimesh solidarizuese në Belgjikë përgjatë vitit të fundit e gjysmë, të organizuara nga dhjetëra grupe belge dhe ndërkombëtare në mbështetje të çështjes palestineze. /mesazhi