30% paga më të larta për 16 mijë përfitues, në listë, punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të Burgjeve

Punonjësit e Policisë së Shtetit dhe të sistemit të Burgjeve do të kenë paga më të larta prej datës 1 Korrik. Kjo rritje do të jetë në masën 30%  dhe do të realizohen në dy etapa. Për Scan, kryetari i Sindikatës së Policisë Sadetin Fishta si dhe kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve Valentin Macaj, kanë folur mbi numrin e përfituesve ku sipas tyre janë mbi 12 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, si dhe 3560 punonjës të sistemit të policisë së Burgjeve.

“Qeveria ka në vëmendje dhe pagat e punonjësve të policisë, është një ndër objektivat politikë të saj. Projekti është bërë gati për të përfituar këtë shtesë më 1 Korrik, ku do rritet 25% paga bazë e punonjësve të policisë, si dhe do të ketë një rritje shtesë prej 5% me natyrë të veçantë pune. Kështu që kjo është një rritje e konsiderueshme me 30%, të mbledhura bashkë. Pothuajse të gjithë punonjësit e policisë janë përfitues pra mbi 12 mijë persona”- ka thënë Fishta.

“Rritja do të jetë tek 30%-shi. Nga shtesat që priten, janë përfitues 3660 punonjës të burgjeve nga grada më e ulët deri në gradën më madhore. Janë 2 projekte për rritjen e pagës”- shton Macaj, kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve. Ndërkohë zgjidhje i është dhënë dhe përfitimit të pagesave të orëve shtesë të mbartura, si dhe disa problematikave të tjera.

“Kemi kërkuar heqjen e fashës për mbi 16 orë punë, e cila është bërë pengesë edhe pse ligji për këtë nuk e pengon institucionin e policisë t’jua paguajë mbi 16 orë pune. Ligji shprehet në mënyrë taksative që nuk duhet që punonjësit e policisë të punojnë mbi 16 orë, sigurisht që duhet të ketë dhe marrjen  e diferencës financiare” – ka thënë Sadetin Fishta, kryetari i Sindikatës së Policisë./scantv

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne