“9 shtetas të huaj të vrarë nga persona të armatosur të paidentifikuar në Iranin juglindor”

Të paktën nëntë shtetas të huaj janë vrarë në një sulm të armatosur nga sulmues të paidentifikuar në Iranin juglindor, raporton media iraniane.

Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr raportoi sot se persona të armatosur “të paidentifikuar” vranë nëntë joiranianë në qytetin e Saravanit në provincën Sistan-Baluchestan. “Sipas hetimeve vijuese dhe dëshmisë së njerëzve të informuar, persona të panjohur të armatosur vranë nëntë joiranianë në një shtëpi në zonën Sirkan të qytetit të Saravanit mëngjesin e sotëm”, thuhet në lajm.

Asnjë individ apo grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësinë për incidentin, shtoi agjencia. Nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar për incidentin, ndërsa media shtetërore gjithashtu nuk ka raportuar ende për të.

Në provincën Sistan-Baluchestan, në kufi me Pakistanin, ka pasur shpesh sulme nga grupe të armatosura si ndaj policëve, ashtu edhe ndaj civilëve në vitet e fundit. Incidenti vjen më pak se dy javë pasi Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) lëshoi një breshëri raketash balistike në provincën Balochistan të Pakistanit, që dyshohet se synonte selinë e grupit militant Jaish al-Adl.

Jaish al-Adl është një grup militant iranian që besohet se ka baza në rajonin kufitar të Pakistanit dhe ka marrë përgjegjësinë për shumë sulme terroriste në provincën Sistan-Baluchestan. Pakistani u kundërpërgjigj me një sulm me raketa mbi bazat e një grupi militant në provincën Sistan-Baluchestan, duke vrarë të paktën nëntë persona, të gjithë joiranianë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne