Ramadan Shkodra
Ka kohë që në hapësirën tonë publike po zhvillohet një fushatë kundër fesë, kulturës dhe trashëgimisë islame. Ajo, në thelb, bie ndesh jo vetëm me historinë dhe trashëgiminë e krijuar ndër shekuj, por edhe me realitetin e shumicës së shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri, për të cilët Islami është pjesë e pandashme e historisë, kulturës dhe identitetit të tyre.
Ajo që më shqetëson veçanërisht është se kjo fushatë kohët e fundit ka marrë një dimension të ri dhe më agresiv: përdorimin e figurave të shquara kombëtare për t’i vënë artificialisht përballë prijësve myslimanë, sikur ndërmjet shqiptarizmit dhe Islamit të ekzistonte një kundërvënie historike. Sikur për të qenë shqiptar duhet të mohosh një pjesë të historisë së shqiptarëve dhe sikur rrënjët tona kombëtare mund të kërkohen vetëm në njërën prej traditave tona fetare.
Por fushata nuk ndalet këtu. Pothuajse çdo paraqitje apo aktivitet i Bashkësisë Islame të Kosovës, i udhëheqësve të saj, veçanërisht i Myftiut Naim ef. Tërnava, por edhe çdo pjesëmarrje e liderëve shtetërorë e politikë në aktivitetet publike të BIK-ut, tentohet të paraqitet si pjesë e ndonjë “propagande” kundër shqiptarizmit. Me një gjuhë përjashtuese promovohet ideja e një “kthimi te rrënjët e të parëve”, sikur rrënjët shqiptare të mund të përcaktohen vetëm përmes një përkatësie fetare dhe sikur shqiptarët myslimanë të ishin një devijim nga historia e tyre.
Kjo është një qasje që nuk e bashkon shqiptarin, por e ndan atë.
Tani edhe historia po vihet në skenë
Shqetësimi bëhet edhe më i madh kur kjo narrativë po shoqërohet me përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale. Kanë filluar të qarkullojnë disa video të shkurtra, të krijuara apo të manipuluara me mjete të AI-së, në të cilat përdoren figura të njohura të historisë shqiptare dhe krijohen skena e “debate” të imagjinuara, sikur këto personalitete të ishin gjallë dhe të merrnin qëndrime në përplasjet politike e fetare të ditëve tona.
Për nevojat e Lëvizjes së Deçanit dhe të disa lëvizjeve simotra, sipas materialeve që po qarkullojnë, përdoren figura historike për t’i dhënë kësaj narrative një autoritet që ajo nuk e ka. Dhe nuk bëhet fjalë për një video të vetme. Janë disa video në të cilat përsëritet e njëjta logjikë dhe i njëjti mesazh.
Në to përdoret veçanërisht figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e cila vendoset në raport me Myftiun Naim ef. Tërnava dhe përdoret për të krijuar një përplasje të sotme rreth fesë dhe identitetit shqiptar.
Kjo përsëritje nuk mund të trajtohet më si një rast i izoluar. Kur një mesazh përsëritet në disa materiale, kur prodhohen video të ngjashme dhe kur ato shpërndahen në mënyrë të vazhdueshme në rrjetet sociale, atëherë kemi të bëjmë me ndërtimin e një narrative. Dhe kjo narrativë është shqetësuese, sepse përpiqet ta paraqesë historinë shqiptare sikur ajo të ishte ndërtuar mbi përplasjen ndërmjet shqiptarëve të krishterë dhe shqiptarëve myslimanë.
Skënderbeu nuk mund të shndërrohet në armë kundër shqiptarëve
Këtu qëndron edhe një paradoks i madh.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është një nga figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare. Por sot figura e tij po nxirret nga konteksti i saj historik dhe po përdoret si instrument në një betejë të ditëve tona kundër Islamit dhe përfaqësuesve të tij.
Skënderbeu nuk mund të shndërrohet në armë kundër shqiptarëve myslimanë.
Ai i përket historisë sonë kombëtare dhe nuk mund të shndërrohet në pronë ideologjike të askujt. Aq më pak nuk mund të përdoret për të krijuar përshtypjen se shqiptarizmi qëndron përballë Islamit.
Është edhe më paradoksale që në këtë përpjekje përdoret pikërisht figura e Skënderbeut, ndërkohë që angazhimi, kontributi dhe misioni i Myftiut Naim ef. Tërnava për shqiptarizmin janë të shprehura, të njohura dhe të pakontestueshme, po ashtu edhe qëndrimi i tij i qartë ndaj historisë dhe figurave të shquara të kombit tonë. Për dekada me radhë, ai ka dëshmuar me veprimtarinë e tij se përkatësia fetare nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë pengesë për dashurinë ndaj atdheut, kombit dhe historisë shqiptare. Prandaj, përplasja e fabrikuar ndërmjet Skënderbeut dhe Myftiut Tërnava nuk është një debat real historik, por një konstrukt i sotëm, i krijuar për të prodhuar një përçarje që nuk ekziston dhe për ta vënë shqiptarizmin artificialisht përballë Islamit.
Dhe këtu duhet të ndalemi.
Sepse kur një figurë historike përdoret për të folur në emër të një beteje që nuk ka ekzistuar në kohën e saj, kur i atribuohen qëndrime që nuk mund t’i ketë dhënë dhe kur kjo bëhet për të goditur një komunitet të caktuar fetar, atëherë nuk kemi më të bëjmë thjesht me interpretim të historisë. Kemi të bëjmë me manipulim të historisë.
AI nuk duhet të bëhet fabrikë e urrejtjes
Nëse në këto video përdoren pamje të krijuara, të rindërtuara apo të manipuluara me inteligjencë artificiale, atëherë kemi hyrë në një fazë të re dhe shumë më shqetësuese të manipulimit të opinionit publik.
Teknologjia mund të jetë një mjet i jashtëzakonshëm për dije, edukim, kulturë dhe ruajtjen e kujtesës. Por pikërisht për këtë arsye duhet të shqetësohemi kur ajo përdoret për të krijuar pamje që duken të vërteta, për të vendosur figura historike në skena që nuk kanë ekzistuar dhe për t’u atribuar atyre fjalë apo qëndrime që nuk i kanë thënë kurrë.
Kjo është shumë më serioze sesa një postim i zakonshëm në rrjetet sociale. Një video e shkurtër mund të shpërndahet te mijëra njerëz brenda pak orësh. Sidomos te të rinjtë, ajo mund të krijojë përshtypjen se ajo që shohin në ekran është fakt historik.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku: kur gënjeshtra vishet me pamje të besueshme, ajo mund të bëhet më bindëse se e vërteta.
Çfarë synohet të arrihet?
Prandaj pyetja nuk është vetëm: kush e ka krijuar një video të tillë?
Pyetja është shumë më serioze:
Çfarë synohet të arrihet me një seri të tillë videosh?
Nëse synimi është të krijohet urrejtje ndaj myslimanëve shqiptarë, të paraqitet Islami si i huaj për kulturën shqiptare dhe të vihet një figurë historike në shërbim të kësaj narrative, atëherë kemi arsye serioze për t’u shqetësuar.
Sepse kështu nuk po sulmohet vetëm Myftiu Tërnava. Nuk po sulmohet vetëm Bashkësia Islame e Kosovës.
Po tentohet të goditet një pjesë e rëndësishme e kujtesës, kulturës dhe identitetit të popullit shqiptar.
Populli shqiptar ka në historinë e tij figura të dëshmuara që kanë dhënë shumë për vendin dhe kombin, kanë mbrojtur bashkëjetesën dhe kanë ndërtuar ura dialogu ndërmjet njerëzve të besimeve të ndryshme. T’i përdorësh këto figura për të krijuar përçarje dhe për të prodhuar një narrativë armiqësore ndaj një pjese të popullit tonë është jo vetëm e padrejtë ndaj historisë, por edhe e rrezikshme për të tashmen.
Ajo që e ka mbajtur popullin shqiptar të bashkuar në periudhat më të vështira nuk ka qenë përpjekja për ta zhdukur fenë e tjetrit. Përkundrazi, ka qenë aftësia për të bashkëjetuar, për ta respektuar njëri-tjetrin dhe për ta parë përkatësinë kombëtare përtej dallimeve fetare.
A po përpiqemi ta rishkruajmë historinë?
Është për t’u habitur se si disa prej atyre që qëndrojnë prapa Lëvizjes së Deçanit tentojnë të mohojnë, të zbehin apo edhe të zhdukin çdo gjë që i përket kulturës, fesë, qytetërimit dhe ndikimit islam në historinë tonë.
Çfarë do të thotë kjo?
Do të thotë të mohohet një pjesë e rëndësishme e së kaluarës së popullit shqiptar, sikur historia mund të fillojë nga pika që na përshtatet neve sot. Do të thotë të ndërtohet një shqiptarizëm i ri, duke e përjashtuar nga ai shqiptarizëm një pjesë të madhe të vetë shqiptarëve.
Kjo nuk është mbrojtje e historisë. Kjo është përpjekje për ta rishkruar historinë.
Dhe një qasje e tillë më kujton dy modele të dështuara që kanë sjellë shkatërrim, gjakderdhje dhe vuajtje: inkuzicionin mesjetar, i cili në emër të një të vërtete të vetme përndoqi dhe shkatërroi, dhe monizmin sllavokomunist, pasojat e të cilit ne shqiptarët i kemi paguar shumë shtrenjtë.
Të dyja këto modele, ndonëse të ndryshme në kohë dhe rrethana, kanë një të përbashkët: përpjekjen për ta imponuar një të vërtetë të vetme duke mohuar tjetrin.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për një histori të tillë.
Ne kemi nevojë për një histori të plotë, që i pranon të gjitha shtresat e identitetit tonë, që nuk e mohon fenë e askujt dhe që nuk e përdor besimin për të prodhuar armiqësi.
A ka kush t’i dalë përballë kësaj dukurie?
Prandaj pyetjet që shtroj nuk janë retorike.
A ka në këtë vend intelektualë që dinë t’i dalin përballë kësaj dukurie?
A ka institucione që e kuptojnë rrezikun e manipulimit të historisë dhe të përdorimit të inteligjencës artificiale për përhapjen e gjuhës së urrejtjes?
A ka institucione të drejtësisë që duhet të merren me rastet kur, nën petkun e debatit publik, shpërndahen përmbajtje që fyejnë, nxisin urrejtje e përçarje dhe deformojnë qëllimisht të vërtetën?
Nuk është fjala për të penguar askënd të kritikojë, të debatojë apo të shprehë bindjet e veta. Fjala e lirë është e drejtë themelore. Por liria e shprehjes nuk duhet të shndërrohet në licencë për manipulimin e historisë, për poshtërimin e tjetrit dhe për nxitjen e urrejtjes ndërmjet njerëzve.
Nëse heshtim përballë kësaj dukurie, nesër mund të mos kemi më vetëm video të manipuluara. Mund të kemi një brez që do ta mësojë historinë jo nga dokumentet, dëshmitë dhe faktet, por nga pamjet e fabrikuara që i dalin përpara në ekran.
Dhe atëherë dëmi nuk do të jetë më vetëm ndaj një feje, një institucioni apo një figure të caktuar.
Dëmi do t’i jetë bërë kujtesës sonë të përbashkët, bashkëjetesës sonë dhe vetë shoqërisë shqiptare.

















