Azem Kovaçi
Për Luftën Epike të Lumës, në vitet 1912–1913, shumë pak njerëz dinë. Aty lanë kockat e tyre me mijëra serbë.
Lufta e Lumës ishte aq e rëndësishme, saqë, de facto, ndihmoi në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, duke penguar ushtrinë serbe të arrinte në kohë daljen në Adriatik.
Gjeografikisht, krahina e Lumës / Kukësi kufizohen me Opojën, Prizrenin, Hasin, Dibrën dhe Mirditën.
Të gjitha krahinat përreth Lumës ndihmuan kauzën shqiptare në atë luftë, me përjashtim të Mirditës dhe mirditorëve, të cilët nuk u panë askund.
Në fakt, ekzistojnë të dhëna historike se, përveçse mirditorët nuk ndihmuan në Luftën e Lumës, ata akomoduan dhe ndihmuan ushtrinë serbe, duke e furnizuar me ushqime dhe tagji për kafshët.
Po ashtu, ka të dhëna historike që flasin se vetë bajraktari i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, kishte bërë një marrëveshje me Pashiqin, kryeministrin serb, për krijimin e një Republike Mirditore.
Në të njëjtën kohë, gjatë luftës epike të Shkodrës dhe rrethimit të saj në vitet 1912–1913, disa nga fiset katolike shqiptare, në fakt, ranë në ujdi me Krajl Nikollën e Malit të Zi, duke mos luftuar kundër forcave malazeze dhe, sipas këtyre të dhënave, duke luftuar përkrah tyre kundër trupave që mbronin Shkodrën dhe tokat shqiptare.
Vlen të përmendet se edhe në Kongresin e Berlinit, më 1878, këta dërgonin peticione ku kërkonin krijimin e një republike katolike të tyre. Preng Bib Doda e kishte kërkuar një gjë të tillë dhe ishte përkrahur nga malazezët dhe serbët.
Përdorimi i katolikëve shqiptarë nga sllavët për agjendat e tyre, me synimin për gllabërimin e trevave shqiptare, ishte pikërisht një nga faktorët që bëri që elita shqiptare dhe Porta e Lartë të hezitonin për shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve nga Perandoria Osmane.
Vetë elita shqiptare kërkonte dhe insistonte për një autonomi të decentralizuar, por nën mbrojtjen ushtarake të Portës së Lartë.
Të gjithë i dimë pasojat që pasuan.
Foto: Ismail Bej Vlora dhe Isa Boletini rrugës për në Londër… atje ku fati i shqiptarëve ishte në duart e zullumqarëve perëndimorë.

















