Zbardhen detaje të reja lidhur me aksidentin e rëndë rrugor të ndodhur këtë të hënë në aksin Kabash–Porocan të Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj.
Mësohet se në sallën e operacionit ka komunikuar drejtuesi i mjetit, i cili, ndonëse në gjendje të rëndë, ka raportuar se mësuesja dhe infermierja kishin ndërruar jetë pas aksidentit.
Aksidenti ndodhi kur mjeti, në të cilin udhëtonin tre persona pjesë e personelit të shërbimeve në fshatra, doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës dhe policia, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se kushtet e vështira të rrugës dhe terreni i thyer mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit./BW

















