Nga Tirana në Knesset: Rama rreshtohet me shtetin e akuzuar për gjenocid dhe fajëson vetëm Hamasin

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Izrael, ku mbajti fjalim në parlamentin izraelit, Knesset, në një kohë kur ky shtet përballet me akuza të rënda ndërkombëtare për krime lufte dhe veprime me karakter gjenocidal ndaj popullsisë civile në Rripin e Gazës. Vizita e Ramës dhe fjalimi i tij u shoqëruan me tone lavdëruese ndaj Izraelit, ndërsa mungoi çdo referencë kritike ndaj bombardimeve masive, viktimave civile dhe shkatërrimit humanitar në Gaza.

Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi marrëdhëniet historike mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai e cilësoi një “nder të veçantë” pritjen në Knesset dhe deklaroi se Shqipëria ka bërë më shumë se shumë kombe të tjera për popullin hebre. Megjithatë, këto deklarata jane përpjekje për të legjitimuar politikisht një shtet që aktualisht po kryen operacione ushtarake shkatërruese ndaj një popullsie të bllokuar.

Në vijim të fjalimit, kryeministri shqiptar u pozicionua hapur në konfliktin Izrael–Hamas, duke ia atribuar përgjegjësinë ekskluzive për dhunën Hamasit. “Xhelati është Hamasi dhe askush tjetër”, deklaroi Rama, pa përmendur numrin e lartë të viktimave civile palestineze, përfshirë gra dhe fëmijë, apo shkatërrimin e spitaleve, shkollave dhe infrastrukturës jetike në Gaza.

Rama shkoi edhe më tej, duke e cilësuar veten si udhëheqësin e dytë pas ish-presidentit amerikan Donald Trump që mban fjalim në Knesset, një deklaratë që u pa nga shumë vëzhgues si përpjekje për vetëpromovim politik në një skenë të rëndë nga pikëpamja morale dhe humanitare.

Duhet kujtuar se kjo nuk është hera e parë që Rama shfaqet i afërt me establishmentin izraelit. Më herët, ai është dekoruar nga Izraeli, gjë që ngre pikëpyetje mbi paanshmërinë e tij politike dhe mungesën e ndjeshmërisë ndaj vuajtjeve të palestinezëve. Kritikat ndaj Ramës theksojnë se një kryeministër i një vendi me shumicë myslimane dhe me histori bashkëjetese fetare duhej të mbante një qëndrim më të balancuar dhe më human.

Vizita e Ramës në Izrael dhe fjalimi i tij në Knesset po shihen nga shumë analistë dhe aktivistë si një rreshtim i hapur politik përkrah një shteti që sot akuzohet nga organizata ndërkombëtare për shkelje të rënda të së drejtës humanitare. Heshtja për Gazën dhe vuajtjen e popullsisë palestineze po konsiderohet si njollë morale në politikën e jashtme shqiptare dhe si një distancim nga parimet universale të drejtësisë dhe mbrojtjes së jetës njerëzore./GAZETAIMPAKT

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne