Një betejë ligjore nëse lufta e Izraelit kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë përbën gjenocid, hapet të enjten në gjykatën më të lartë të Kombeve të Bashkuara me seancat dëgjimore pasi Afrika e Jugut u bëri thirrje gjyqtarëve që të urdhërojnë pezullimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake të Izraelit. Ndërsa Izraeli i mohon plotësisht akuzat për gjenocid.
Afrika e Jugut e dërgoi Izraelin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për “gjenocid” gjatë luftës së tij në enklavën palestineze. Gjykata ka vendosur ta shqyrtojë kërkesën e Afrikës së Jugut në seanca dëgjimore më 11 dhe 12 janar. Rasti, mund të zgjasë disa vjet. Izraeli i konsideron të padrejta dhe të njëanshme gjykatat e OKB-së dhe ato ndërkombëtare. Por ai po dërgon një ekip të fortë ligjor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të mbrojtur operacionin e tij ushtarak të nisur pas sulmeve të 7 tetorit nga Hamasi. “Unë mendoj se ata kanë ardhur sepse duan të shfajësohen dhe mendojnë se mund t’i rezistojnë me sukses akuzës për gjenocid,” tha Juliette McIntyre, një eksperte për të drejtën ndërkombëtare në Universitetin e Australisë Jugore.
Seancat dëgjimore paraprake në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë fillojnë me avokatët për Afrikën e Jugut duke u shpjeguar gjyqtarëve pse vendi ka akuzuar Izraelin për “veprime dhe mosveprime” që janë “në karakter gjenocidal” në luftën në Gazë. Seanca hapëse e së enjtes përqendrohet në kërkesën e Afrikës së Jugut që gjykata të vendosë urdhra të përkohshëm detyrues, duke përfshirë ndalimin e fushatës ushtarake të Izraelit. Një vendim mund të marrë disa javë.
“Nuk është thjesht një çështje e vrasjes së një numri të madh njerëzish,” shtoi ajo në një email për Associated Press. “Duhet të ketë një qëllim për të shkatërruar një grup njerëzish (të klasifikuar sipas racës ose fesë për shembull) tërësisht ose pjesërisht, në një vend të caktuar”, tha ajo. Në një dokument të detajuar prej 84 faqesh që nis çështjen në fund të vitit të kaluar, Afrika e Jugut pretendon se Izraeli e ka demonstruar këtë qëllim. Izraeli u përgjigj duke këmbëngulur se vepron sipas ligjit ndërkombëtar dhe se i fokuson veprimet e tij ushtarake vetëm kundër Hamasit, duke shtuar se banorët e Gazës nuk janë armiq. Ai pohoi se vepron për të minimizuar dëmin ndaj civilëve dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në territor. Një konventë e gjenocidit u hartua në vitin 1948 pas Luftës së Dytë Botërore dhe vrasjeve të gjashtë milionë hebrenjve në Holokaust. Si Izraeli ashtu edhe Afrika e Jugut janë nënshkrues.